Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës një ditë më parë. Lajmin e bëri të ditur vetë Haradinaj në fund të mbledhjes së Qeverisë, ndërsa ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale.

“Sot informova Qeverinë do t’i informojë edhe institucionet tjera për dorëheqjen time të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, javën tjetër do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë Haradinaj.

Kjo solli reagime të shumta nga krerët shtetërorë, partiakë, shoqëria civile, e deri të mediat ndërkombëtare.

Por pavarërisht kësaj, kujtojmë se ky nuk është rasti i parë kur atij i është dashur të heqë dorë nga një detyrë e lartë shtetërore. Pasi ishte ftuar nga Tribunali i Hagës me 8 mars të vitit 2005, Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. 14 vite më vonë, Haradinajt i përsëritet historia.

Liderit të AAK-së iu desh të lërë sërish postin e shefit të qeverisë, pasi kësaj radhe u ftua nga një gjykatë e re, e cila po ashtu e ka selinë në Hagë. Ndërkohë që më 3 prill 2008 trupi gjykues nga Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi e shpalli të pafajshëm Haradinajn.

Presidenti Hashim Thaçi
Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi ka thënë se ndjen keqardhje për rastin e Haradinajt,e gjithashtu ka thënë se nga Specialja është ftuar edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, ka shkruar Thaçi.

Kreu i PDK-së – Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe udhëheqësi i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli, ka reaguar për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit dhe ftesës për të nga Gjykata Speciale.

Veseli, që po qëndron në një vizitë zyrtare në SHBA, ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe kjo do të dëshmohet sërish. Kreu i PDK-së ka shkruar se vendimet e mëtutjeshme do të jenë në përputhje me interesat e qytetarëve.

“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.

Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, ka shkruar Veseli.

Kreu i Vetëvendosjes – Albin Kurti
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit është e vonuar me arsye të gabuar.

Ai ka numëruar disa arsye për çka do duhej Haradinaj të dorëhiqej më herët.

“Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues…..

Kreu i LDK-së, ish kryeministër – Isa Mustafa
Përmes një shkrimi në Facebook, Mustafa tha se ndjen keqardhje që dorëheqja e kërkuar në vijimësi e Haradinajt nga ana e partisë së tij po ndodhë për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

“LDK në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës”, tha Mustafa.

Ai shprehu besimin se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se Haradinaj do të provohet i pafajshëm dhe njëherë tjetër.

“Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe”, përfundoi Mustafa.

Kreu i NISMËS, Zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Ai ka thënë se ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj është një ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së, transmeton Telegrafi.

Limaj ka theksuar se fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës

Në fund të shkrimit të bërë në Facebook, Limaj ka thënë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfide dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast.

Kreu i AKR-së, Ministrër i Jashtëm i Kosovës – Behgjet Pacolli
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, reagoi pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai deklaroi se ky veprim është gjest i një burrështetasi, ndërsa tha se ak pasur nderin të bashkëpunojë me Haradinajn.

“Sot veprimi i kryeministrit Haradinaj është një gjest burrështetasi dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Kam pasur nderin të bashkëpunoj me kryeministrin Haradinaj dhe shprehi simpatinë dhe solidaritetin tim për të si kryeministër dhe qytetar i rëndomtë”, tha Pacolli.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku

Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku ka thënë se e ka pranuar me shqetësim lajmin për ftesën që i është bërë nga Gjykata Speciale, Ramush Haradinajt.

Lushtaku në reagimin e bërë në Facebook, ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe si e tillë është dëshmuar në vazhdimësi para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare.

Lushtaku ka pohuar se Ramush Haradinaj do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë.

OVL e UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka dënuar ftesën që Gjykata Speciale i ka bërë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe këshilltarit të presidentit, Bislim Zyrapi.

Gjykatën Speciale e kanë quajtur të padrejtë dhe të njëanshme, duke shprehur bindjen e tyre se ish i pari i Qeverisë do të dal faqebardhë nga kjo. Ndërkaq, nuk e kanë mohuar që mund të ketë dhe zyrtarë të tjerë të ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Pas mbledhjes se kryesisë së OVL UÇK-së, përmes një konference për media, kryetari Hysni Gucati tha se kjo Gjykatë është e padrejtë dhe e njëanshme.

Deputeti i pavarur, Ilir Deda
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se ndjen keqardhje për situatën në të cilën gjendet Ramush Haradinaj. Në reagimin e bërë në Facebook, Deda ka thënë se dëshiron që përballjen e radhës Haradinaj ta ketë me dinjitet dhe urtësi.

Ai ka pohuar se politikisht ka dallime të mëdha për qeverisjen e PAN-it.

Deda ka thënë që shumë shpejtë populli do të ketë mundësi t’i jep drejtim Kosovës, duke shtuar se beson në vendim racional të qytetarëve.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Ilir Meta, ka folur për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, si dhe ftesën e Gjykatës Speciale. Përmes një shkrimi në Facebook, Meta ka thënë se është i bindur në pafajësinë e Haradinajt. Ai thotë se duhet bashkuar që Kosova dhe rajoni të jenë të pacenueshëm.

“Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!

Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane”, ka shkruar Meta.

Ministri i Diasporës shqiptare, Pandeli Majko
Pandeli Majko thotë se Haradinaj ka dhënë dorëheqje si një burrë shteti. Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Haradinaj ishte komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes.

“Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij.

Sot jam me Ramushin! Të falënderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, ka shkruar Majko.

Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati
Ditmir Bushati, ka vlerësuar se akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës për t’u ballafaquar sërish me drejtësinë, është forca e shembullit të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para.

“Jam i bindur që ky veprim do të lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës dhe kontributin e pamohueshëm të Ramush Haradinajt. Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes”, ka thënë Bushati.

“Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje”, ka thënë më tej Bushati.

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, i kanë ofruar mbështetje kreut të AAK-së, Ramush Hardinaj, i cili sot dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Përmes një njoftimi, ky union përveç tjerash ka treguar për punën dhe përkushtimin e Hardinajt, për bashkëpunim me diasporën shqiptarë në mënyrë që të tejkalohen barrierat në aspekt të investimeve në Kosovë.

“Kryesia e Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane do jetë mbështetës i kryeministrit Haradinaj në përballjen e ti me drejtësinë në një proces jo të drejtë me bindjen e plotë në pafajësinë e tij”, thuhet ndër tjera.

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer
Serwer tha nga Prishtina ku ndodhet për vizitë se ishte befasuar nga lajmi i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, me të cilin ishte takuar të mërkurën.

“Jam shumë i sigurt që nuk e kishte idenë që do të jepte dorëheqjen të premten”, tha ai.

Serwer tha se mendon se Haradinaj ka bërë veprimin e duhur por se tani qeveria është në një pozicion të pakëndshëm.

“Do të duhet të presim të shohim nëse kjo do të çojë në zgjedhje të parakohshme, që opozita i kishte kërkuar gjithsesi dhe që mendoj se mundësua për to është më e madhe tani sesa ishte dje”, tha zoti Serwer për Zërin e Amerikës.

Për sa i takon ndikimit që ky zhvillim do të ketë për një dialog Kosovë-Serbi, është e qartë tha zoti Serwer se një ndryshim qeverie do ta vononte më tej dialogun.

“Në këtë drejtim nuk besoj që gjendja bëhet shumë më keq se ç’është aktualisht. E vetmja gjë që mbetet tani, është që të presim se kush do të bëhet kryeministër dhe kush do ta mbajë shumicën në parlament”, tha ai.

Raportimi i mediave ndërkombëtare

Përveçse në Kosovë, lajmi për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është publikuar shumë shpejt edhe nga mediat e rajonit, evropiane dhe ato botërore.

Përveç mediave prestigjioze si BBC, Bloomberg, Spiegel dhe të tjera, për këtë lajm ka raportuar edhe Euroneës.

Sipas këtij mediumi, kryeministri Haradinaj ka thënë të premten se ka dhënë dorëheqje, duke treguar edhe arsyen, e cila siç ka thënë ai, është ftesa nga Specialja, si i dyshuar.

Siç kujton ky medium, përcjell Telegrafi, Gjykata e posaçme në Hagë u krijua në vitin 2015 dhe se Dhoma e specializuar financohet nga Bashkimi Evropian.

“Haradinaj tha se do të udhëtojë në Hagë javën e ardhshme. Kjo është hera e dytë që ai duhet të japë dorëheqjen si kryeministër”, thekson ky medium.

Veç këtyre, lidhur me këtë ka raportuar edhe mediumi kroat Jutarnji.hr.

Sipas këtij mediumi, kryeministri i Kosovës ka dhënë dorëheqje. “Ramush Haradinaj shkon në Hagë si i dyshuar: ‘Nuk mund ta udhëheq vendin në këtë situatë’”, shkruan mediumi në fjalë.

Gjithsesi, një lajm i tillë ka zënë vend edhe në mediat serbe.

Dhe përveç njoftimit, mediat serbe kanë vënë në pah edhe deklarimin e Haradinajt rreth taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“… ai lexoi letrën e dorëheqjes, por tha se taksa që qeveria e tij ka vendosur në importet e mallrave nga Serbia dhe BeH do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e mëtejshëm”, shkruan mediumi serb Blic.rs.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: