Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Valdrin Pjetrit për t’u dorëhequr nga posti i kryebashkiakut, pas akuzave të PD se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge.


Rama shkruan në “twitter” se Pjetri nuk është kriminel, siç e cilësonte një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha, por që fshehja e ngjarjes është e patolerueshme.

Sipas kreut të qeverisë, “një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar, ndaj dhe duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”.


Më tej, Rama paralajmëron se ka ardhur koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit


Mesazhi i Ramës:
Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!

Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.

Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.

  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb