TIRANË- Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot në rubrikën “Opinion” në News24 disa prej zhvillimeve të fundit në vend. Ai e ka nisur me vrasjen e minoritarit grek në Bularat të Gjirokastrës Konstadinos Kacifa për të cilën u shpreh se do të ishte më mirë të mos kishte ndodhur. Lubonja tha se duhet transparencë e plotë për këtë ngjarje, ndërsa reagimin e kryeministrit Edi Rama nuk e quajti normal.

“Detyra e policisë është t’i evitojë këto dëme të mëdha. Forcat e policisë janë të stërvitura për të neutralizuar pa vrarë. Kjo është e para gjë që do të kishte qenë mirë të mos ndodhte, vrasja, që të neutralizohej personi që akoma se dimë çfarë ka qenë. Njëkohësisht për të mos u krijuar këto tensione mes Shqipërisë e Greqisë. Nuk jam me ata që ekzaltojnë faktin ‘ja ne ja treguam vendin’. Këtu është problemi që të mos ndodhte ngjarja. E dyta gjë që duhet bërë për këtë gjë është transparenca e plotë për këtë ngjarje.
Varet se si ka ndodhur kjo ngjarje, dhe mund ta thellojë acarimin mes dy vendeve.
Nuk ishte reagim normal i kryeministrit. E shikojnë si fushatë elektorale. Thotë më mirë të jem me shumicën, nacionalistët. U duhet një ngjarje e tillë për të tërhequr vëmendjen nga skandalet se dalin si patriotë”, u shpreh Lubonja.

Më tej ai komentoi dorëheqjen e Fatmir Xhafaj nga detyra e Ministrit të Brendshëm. Lubonja tha se dorëheqja ishte e dëmshme politikisht për maxhorancën. Ai i bëri thirrje Xhafajt të tregojë shkakun e dorëheqjes duke aluduar për lidhje me çështjen e kreut të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

“Heshtja e Xhafës flet shumë. Dorëheqja ishte e dëmshme politikisht për maxhorancën, për Edi Ramën, për të gjithë. Në kulmin e sukseseve ministri jep dorëheqjen?! Këtu ka diçka që nuk shkon. Megjithëse kjo dorëheqje e dëmton shumë Edi Ramën, në kuptimin se ai hapi një fushatë për këto përgjimet janë shpifje dhe në këtë moment që ti ke hapur këtë fushatë të ikën Fatmir Xhafaj, ti ke problemin e madh se të demaskohej kjo fushatë. Pyetja që ngre unë është çfarë është ky dëm edhe më i madh se dorëheqja që mbahet fshehur dhe nuk thuhet shkaku i dorëheqjes?
Unë ngre hipoteza se ndoshta ky iku për të mos shpërthyer skandali. Por ama është e rëndë po të ishte kështu. Ose e dyta që këtu janë ndeshur pikërisht për atë që përballë fakteve të pakundërshtueshme, për përfshirjen e Vangjush Dakos, lidhjes së politikës me krimin, gjithsesi ky ka një vijë të kuqe që këtu duhet vepruar dhe këtu ka hasur kundërshtimin me kryeministrin për të cilin dihet që Vangjush Dako është goxha i shtrenjtë si person.
Në të dyja rastet ka detyrë morale e politike Fatmir Xhafaj të thotë shkakun. Edhe prokuroria ka detyrë ligjore për të hetuar përse fshihet arsyeja e dorëheqjes. Unë i bëj thirrje Fatmir Xhafajt të na thotë shkakun dhe prokuroria duhet të kërkojë shkakun tek hetimi për Vangjush Dakon”, tha Lubonja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb