TIRANE

Ky është fjalimi i fundit i Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm i dorëhequr.

Me ftohtësinë që e karakterizon dhe pa nota emocioni, ai ka folur për herë të parë për motivet e dorëheqjes së tij që surprizoi shumëkënd. Xhafaj tha se vendimi nuk erdhi i imponuar nga asnjë rrethanë por në kohën dhe momentin e duhur.

“Po largohem nga kjo detyrë, rrjedhojë e një vendimi të pa imponuar nga ndonjë rrethanë objektive, apo subjektive, por si një vendim i marrë besoj në kohën e duhur, pasi përmbusha, besoj, më së miri objektivat kryesore që i vura vetes në ditën kur vendosa ta pranoja dhe ri-pranoja këtë sfidë”, tha ai. Xhafaj tha se ka pasur gjithmonë mbështetjen e kryeministrit Edi Rama gjatë kohës që ishte në këtë detyrë.

Gjatë një takimi përshëndetës me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, dhe të Policisë së Shtetit, Xhafaj sulmoi opozitën për akuzat që kjo e fundit lëshon ndaj këtij institucioni.

“Por ajo që e dallon eksperiencën e këtyre vendeve me situatën në vendin tonë është se këtu çuditërisht sa herë që Policia e Shtetit godet krimin, një pjesë e opozitës, jo vetëm që nuk gjen as formalisht fjalë për të mbështetur punë e policisë dhe për ta inkurajuar atë, por komenton negativisht aksionet e policisë dhe i përgojon ato. Kjo është komplet papërgjeshmëri politike, por edhe qytetare. Jam i vetdijshëm se Policia e Shtetit gjendet sot nën një sulm dhe përbaltje sistematike të orkestruar nga segmente të politikës dhe një pjese të medias, disa prej të cilave për fat të keq edhe nën influencën e grupeve kriminale, të cilat me sa duket ndjejnë ngushtimin e lakut dhe afrimin e përballjes me drejtësinë dhe po ushtrojnë trysni të gjithanshme. Sa më shumë rritet forca goditëse e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese, po aq rritet edhe agresiviteti i këtyre segmenteve, fundi i të cilëve është i pashmangshëm. Është e rëndësishme që për të patur sukses në këtë luftë duhet të gjithë t’i japim mbështetjen e plotë dhe pa rezerva strukturave të Policisë së Shtetit të angazhuar në këtë luftë. Pjesa e shëndoshë e shoqërisë duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe të kuptoj se çdo sulm kundër Policisë së Shtetit është oksigjen për krimin. ”, tha Xhafaj.

Ndërkohë, Xhafaj e mbylli fjalimin e tij të gjatë me një urim për pasardhësin e tij, ndërsa ende ky pozicion është bosh, pasi kompetencat do t’i komandohen zv.ministrit të ri të Brendshëm Sandër Lleshit. Ky i fundit nuk u dekretua nga presidenti Ilir Meta. Ditën e sotme kryeministri Rama e emëroi Lleshin zv/ministër. “Gjej rastin t’i uroj pasardhësit tim, ministrit të ri të Brendshëm shumë sukses në detyrën që shumë shpejt do të marrë, duke qenë i bindur se me eksperiencën dhe formimin që posedon, ai do t’ju qëndrojë, mbrojë dhe promovojë më tej vlerat e Policisë së Shtetit. Ai është tashmë në bordin e një treni të nisur, tren i cili uroj të eci edhe me më shumë shpejtësi”, tha Xhafaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: