Qendra Kombëtare e librit dhe Leximit celebron këtë vit, 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos.
“Për ta rikthyer në vëmendje këtë figurë të rëndësishme të historisë sonë letrare, për ta pasur më të pranishëm për lexuesin por edhe për të kujtuar gjithë atë trashëgimi të çmuar që Petro Marko ka lënë pas”, tha drejtorja e QKLL Alda Bardhyli.
Shkrimtari I njohur autor I romaneve “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës”, “Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë” etj., pati një jetë të vështirë mes talentit, burgut e frikës. E bija kujton një prej datëlindjeve të tij:
“Për 60-vjetorin e tij më 1973 në Lidhjen e Shkrimtarëve. Shkuam aty familjarisht. Të gëzuar që më në fund po bënin diçka për të. Nuk erdhi asnjë nga këto figurat dhe nuk e kuptuam ç’po ndodhte., pastaj shkuam në shtëpi dhe këtë e mbaj mend mirë. Ismaili (Kadare) erdhi dhe po rrinë ne kuzhinë me ne, nuk qëndroi nga ishin këto figurat e tjera që ishin aty. Të gjithë e dinin se babait i ishte hequr, e drejta e botimit, u hoq nga Lidhja, u hoq libreza e frontit. Ishin marrë të gjitha masat. Vetëm ne në shtëpi nuk e dinim. Ismaili rrinte aq i trishtuar atë ditë Helena, nuk e harroj këtë. “Një emër në katër rrugë”, libri me poezi të zgjedhura dhe drama, u bënë tre gjëra për të cilat e dënuan babin”.
Aranita Marko është e lumtur që i ati po përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes
“Pati një kohë të gjatë heshtjeje. Më vjen keq që duhet që gjërat të ndodhin kur ai qe gjallë, më vjen keq që iku aq I trishtuar.
Gjatë këtij viti, të shpallur si viti i Petro Markos, e bija do të botojë dorëshkrimet e tij.
“Ka shënime që ka pasur kur ka qenë në burg, 1947-1950 sapo ishte martuar me mamanë. Ajo ishte 19 vjeçe. Do mundohemi ta ruajmë me gjuhën që është shkruar. Ka një gjë aty babi se ka qenë shumë xheloz për mamin dhe i ndihet xhelozia në burg. Në atë gjendje torture e të rëndë e ka mbajtur gjallë dashuria për mamin”, thotë Aranita.
Përmes atyre letrave, Petro Marko zbulohet në dimensionin familjar.
“Ëndërronte që e do bënte një vajzë dhe kur të vinin të dy të lodhur nga puna, ajo vajza e vogël do t’i presë. Mendoj që ata më kanë bërë të programuar sepse unë deri në fund babai më thoshte që do vdes në dorën tënde. Dhe unë këtë kam bërë. Është shumë e dhimbshme por jam shumë e lumtur që kanë vdekur në dorën time.
Shkrimtarja Elena Kadare e pranishme, kujtoi si e mbante mend ajo Petro Markon dhe familjen e tij.
“Sidomos ajo lufta e Spanjës e bënte në sytë tonë një perëndi. kaq shumë e adhuronim unë e njoha Petron në sajë te bashkëshortes së tij të mrekullueshme Safo Marko që ishte gruaja më simpatike që më ka qëlluar të takoj. i kërkuan nga Ministria e Brendshme të bënte simbolin e Sigurimit dhe ajo gjeti një zgjidhje te bukur, syrin të shqiponja. Para ca ditësh dëgjova një intervistë tënden Aranita dhe mësova se në kohën që ai ishte shkrimtar i shquar mendimi për të ishte se mund të ishte spiun, për mua ishte zbulim”.
Veç Petro Markos, burgun e njohu edhe i biri Jamarbri, ndërsa pesha e regjimit la gjurmë të pashlyeshme në këtë familje artistësh.