BEOGRAD- Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi sot, për agjencinë serbe të lajmeve “FonNet”, se Serbinë e pret një betejë e vështirë për të ndalur anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare.

KosovaPress bënë të ditur se kjo deklaratë e Daçiç për mediat serbe vjen si përgjigje ndaj paralajmërimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, për dërgimin e kërkesës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.

“Nuk e kundërshtojmë të drejtën dhe nevojën që përfaqësuesit e autoriteteve në Prishtinë të marrin pjesë në takime të ndryshme rajonale, por e kundërshtojmë mundësinë që përmes këtyre anëtarësimeve të ligjërohet statusi i Kosovës”, ka thënë Daçiç.

Daçiç thotë se Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të caktuara, që do të nënkuptonte edhe ligjërimin e statusit të saj si shtet i pavarur, duke theksuar se në mesin e këtyre organizatave janë Këshilli i Evropës, Kombet e Bashkuara dhe OSBE.

Ai ka thënë se do t’i kushtohet vëmendje e posaçme marrëdhënieve tradicionalisht miqësore me vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, duke shtuar se shumica e këtyre vendeve nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por se ndaj tyre po bëhet “një trysni e madhe” që ta njohin atë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: