Venezuela ka hapur një hetim penal ndaj presidentit argjentinas Javier Milei për dorëzimin e një avioni mallrash venezuelas të sekuestruar në SHBA.
Mosmarrëveshja midis dy vendeve të Amerikës së Jugut lindi për avionin Emtrasur Cargo Boeing 747-300FM, i cili fillimisht u ble nga Mahan Air i Iranit. Në gusht 2022, autoritetet argjentinase kapën avionin me kërkesë të SHBA. Uashingtoni e kishte futur më parë në listën e zezë Mahan Air si pjesë e kufizimeve të eksportit të vendosura në Iran.
Venezuela ka protestuar prej kohësh kundër ndalimit të avionit, duke argumentuar se Argjentina ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka kërkuar kompensim. Në mars 2024, Karakasi mbylli hapësirën e tij ajrore për fluturimet drejt dhe nga Argjentina.
Duke njoftuar hetimin të mërkurën, prokurori i përgjithshëm venezuelian Tarek Saab tha se ai caktoi dy prokurorë për të përpunuar urdhër-arrestet për Milei, motrën e tij Karina Milei, e cila drejton zyrën e presidentit dhe Ministren argjentinase të Sigurisë Patricia Bullrich.
Ai shtoi se veprimet e udhëheqjes argjentinase përbëjnë shtatë krime të ndryshme sipas ligjit venezuelian, duke përfshirë “vjedhjen e rëndë” dhe pastrimin e parave. Sipas Saab, “një gjykatë kompetente këtu në Venezuelë” së shpejti do të vendosë mbi urdhërat.