Një ngjarje tragjike ka ndodhur të hënën (4 nëntor) në Dortmund, Gjermani, ku një grua është vrarë me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, një 33-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Sipas raporteve të mediave gjermane, viktima është gjetur e shtrirë në shkallët e ndërtesës dhe ka ndërruar jetë pak pas sulmit.

Mediat gjermane, përfshirë RTL, raportojnë se gruaja, 30 vjeçe, nuk ka mbijetuar nga plagët e marra dhe ka vdekur në spital. “Ajo nuk ia doli të mbijetonte dhe vdiq pas dërgimit në spital,” tha një zëdhënës i policisë të martën.

Sipas prokurorisë, fëmijët e viktimës, 3, 4 dhe 6 vjeç, kanë thirrur fqinjët dhe kanë kërkuar ndihmë pas krimit. Policia e Dortmundit ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se “sipas hetimeve të para, ish-bashkëshorti ka kryer vrasjen në prani të tre fëmijëve të tij.”

Kur gruaja është gjetur, thika ishte ende në trupin e saj. Sipas informacionit të RTL, autori ka shkuar për të vizituar gruan në apartamentin e saj rreth orës 18:10 dhe ka kryer sulmin. Pas krimit, ai është arrestuar më pas gjatë tentativës për të ikur në drejtim të Wurzburg.

Prokuroria ka konfirmuar se ish-bashkëshortët jetonin të ndarë. Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar gjatë natës në një operacion në autostradën në Franconia. “Me urdhër të prokurorisë së Dortmundit, gjykata e Qarkut të Erlangen ka lëshuar një urdhër-arresti të martën. I dyshuari aktualisht ndodhet në qendrën korrektuese të Nurembergut dhe do të transferohet në Dortmund në një datë të mëvonshme,” njoftoi policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb