Dortmundi ka lënë mbrapa krahëve humbjen turpëruese 5-0 në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munich, duke fituar 2-1 me Mainzin falë një dy golëshi të talentit Sancho në pjesën e parë. Sulmuesi i talentuar anglez e gjeti golin që në minutën e 17-të, i shërbyer me zgjuarsi nga Mario Gotze. Nuk vonoi shumë dhe 19-vjeçari shënoi edhe të dytin, këtë radhë pas bashkëpunimit me Delaney.


Fitorja e Dortmundit, gjithsesi nuk do të rezultonte e thjeshtë, pasi Quaison shfrytëzoi një top që nuk u largua si duhet nga mbrojtja, duke shkurtuar në 2-1 diferencën 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Verdhezinjtë me këtë fitore kanë  marrë përkohësisht kryesimin e Bundesligës.