TIRANË- Gjykata e Lartë ka shtyrë sot seancën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit të Shkodrës Tom Doshi. Shkak i shtyrjes është bërë mungesa e dy anëtarëve të Kolegjit Penal Artan Zeneli dhe Guxim Zenelaj, ndërsa as vetë Doshi nuk ka qenë i pranishëm. Seanca e radhës u caktua të mbahet më 28 prill. Avokatët e Tom Doshit kanë depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ nën akuzat e “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “kallëzimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit”.

Doshi ende gëzon statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ e kushtëzon Doshin të kryejë veprimtari politike. Mbrojtja kërkon që Doshi të lirohet nga izolimi në banesën e tij. Sakaq pak ditë më parë u mësua se në laptop­in e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin. Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin.

AVOKATET: TË HETOHET NË GJENDJE TË LIRË, S’MUND TË KUFIZOHET NË USHTRIMIN E DETYRËS
Avokatët e deputetit Tom Doshi kanë kërkuar ndryshimin e masës për klientin e tyre nga “Arrest shtëpie” në “Hetim në gjendje të lirë”. Sipas avokatëve deputeti Doshi nuk mund të pengohet të ushtrojë detyrën e tij.
“Ne e kemi thënë që Gjykata e Larte veç marrjes se masës shtrënguese arrest në shtëpi ka marrë edhe një masë tjetër ndaluese. Nuk mund të kufizohet në aktivitetin e tij në ushtrimin detyrës se tij publike personi që është zgjedhur sipas ligjit elektoral. Akoma nuk ështe komunikuar asnjë akuze nga organi i prokurorisë. Po presim ta ushtroje edhe këtë detyrë që po e vonon shumë.”- u shprehën avokatët.

Më tej ata theksuan se janë të gjitha rrethanat që e lejojnë ndryshimin e masës. “Zvarritja është e pa justifikuar. Deputetit ende nuk i është formalizuar një akuzë konkrete. Është një situatë absurde.”-u shprehen avokatët.

(m.k/a.n/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: