TIRANE- Pas dy orë e 20 minuta marrje në pyetje, Prokuroria nuk ka vendosur ende asnjë akuzë zyrtare për deputetin Tom Doshi, duke e lënë atë në cilësinë e personit nën hetim dhe jo si të pandehur.
Teksa është njohur me akt-ekspertizën për Usb-në dhe laptopin e tij, Tom Doshi u largua nga Prokuroria, nën të njëjtat masa sigurie, i shoqëruar nga forca policore. Mësohet se në aktin e ekspertizës, organi i akuzës nuk ka gjetur asnjë fakt kompromentues kundër deputetit, siç ishte një alibi për një video të mundshme ku Tom Doshi kërcënonte Durim Bamin.

Avokatët e deputetit Doshi, gjatë një deklaratë për mediat pohuan se ky do të jetë dhe një argument në favor të klientit të tyre, për të apeluar pranë Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”. “Klienti jonë vazhdon si person nën hetim dhe nuk i është komunikuar asnjë akuzë, por është një fazë paraprake. Nuk rezulton të ketë asnjë video ku Doshi kërcënon Bamin dhe asnjë regjistrim. Këtë gjë e vërtetoi dhe akt-ekspertiza, ndaj dy akuzat bien”, -pohuan avokatët e tij.

Marrja në pyetje
Ora 09: 50- Deputeti Tom Doshi është thirrur ditën e sotme të merret sërish në pyetje nga Prokuroria e Përgjithshme, në cilësinë e personit nën hetim, ndërsa pritet ti komunikohet zyrtarisht akuza. Deputeti Doshi ndodhet në “Arrest shtëpie”, pasi u akuzua se sajoi një skenar për vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së Mhill Fufi.

Ai akuzohet për veprat penale “Kallëzim të rremë”, “Kanosje për kallëzim” si dhe “Deklarimi të rremë para prokurorit”.

Pas më shumë se një muaj arresti shtëpiak, Tom Doshi ka dalë nga ‘ngujimi’ dhe prokurorët e çështjes kanë vendosur ta marrin atë në pyetje. I shoqëruar nga një makinë policie, Doshi ka hyrë në ambientet e Prokurorisë, ndërsa seanca e pyetjeve për të pritet të zgjasë. “Sot do i komunikohen zyrtarisht akuzat. Veprimi i fundit hetimor ishte ekspertiza e Usb dhe laptopit, të cilat dolën në favor të tij. Seanca e pyetjeve pritet të jetë e gjatë. Ndërsa prokuroria ka prova se e gjithë kjo ngjarje është e sajuar. Ka shumë gjasë që avokatët e Doshit të japin dhe një deklaratë dhe tashmë do bëhen publike të gjitha provat që janë ndaj deputetit. Doshi pritet që në 28 prill të përballet me Gjykatën e Lartë për të ndryshuar masën e arrestit”, -pohoi gjatë një lidhje direkte për News24, gazetarja Klodiana Lala.

Deputeti Tom Doshi para pak ditësh kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Dy avokatët e tij mbrojtës, Vladimir Meçi e Ferid Muçaj, e depozituan kërkesën të premten, ku para gjykatës supreme kanë renditur një sërë argumentesh, mbi bazën e të cilave do të këmbëngulin për nxjerrjen nga “ngujimi” shtëpiak të ligjvënësit Doshi. Doshi ende gëzon statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe masa e sigurisë ‘Arrest shtëpie’ e kushtëzon Doshin të kryejë veprimtari politike.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: