Rifat Kojku e Belina Zeneli do të jenë dy prokurorët që do të hetojnë dosjen 184, të caktuar me urdhër të drejtueses së prokurorisë në Dibër.
Prokuroria për Krime të Rënda hoqi dorë nga hetimi i dosjes së bujshme 184, ku zyrtarë të lartë socialistë dëgjohen në përgjime në biseda për blerjen e votës, në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Dibrës në shtator të 2016, pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, që u përfshi në një skandal seksual, duke e transferuar atë në Dibër.
Vendimi për shpalljen e moskompetencës u firmos nga prokurori Klodian Braho në muajin korrik, në heshtje të plotë, teksa vendi ziente nga debati për zgjedhjet e 30 qershorit, që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës.
Institucioni i Krimeve të Rënda argumentoi se në këtë cështje nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, e për këtë shkak dosja nuk është në kompetencën e Krimeve të Rënda për ta hetuar.
Hetimet per rastin nisën pas kallëzimit që Partia Demokratike beri në shtator të 2016, ku ngrinte dyshime se zyrtarë të lartë po ndikonin në rezultatin zgjedhor për kryebashkiakun e Dibrës. Me vendim të gjykatës së Krimeve të Rënda u përgjuan të paktën 20 numra telefoni dhe nën hetim u morën një numër i madh zyrtarësh lokalë.
Në përgjimet që u publikuan nga BILD, dëgjohen eksponentët e lartë të maxhorancës, që nga kryeministri i vendit, Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri, ish deputetët, Pjerin Ndreu e Artan Gaci, funksionari i policisë, Arben Keshi si dhe zyrtarë lokalë në Dibër.
(BalkanWeb)