TIRANË
Një prej të akuzuarve të dosjes 339, Altin Avdyli kërkon përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka.
Avdyli, pjesë e dosjes për laboratorin e heroinës në Has, aktualisht me masë sigurimi “Arrest në burg”, kërkon përjashtimin e Gjyqtares, Shirka nga gjykimi i çështjes së tij për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Teksa SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Altin Avdylin, ai kërkon përjashtimin për njëanshmëri të gjyqtares, pjesë e trupit gjykues.
“Pranë Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është regjistruar Procedimi Penal Nr. 339/2016.
Ish Gjykata e Shkallës së Parë për Krime Tiranë, ka lëshuar Vendimin Nr. 157, datë 21.10.2018, masën e sigurimit në mungesë, për Hajri Seferi, Altin Avdyli, Astrit Avdyli, Elis, Guri, etj.
Më pas procedimi penal Nr. 339, u nda në 4 fraksione.
Gjykata e Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me relatore znj. Daniela Shirka, me Vendimin Nr.28, date 28.10.2020, (për të njëjtin procedim) ka vendosur:
1. Ramadan Dushaj me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
2. Rezart Cacani me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
3. Neritan Saraçi me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
4. Ardit Haxhagiqi me 8 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5,4 vite burgim.
5. Vilson Noka me 14 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 9,4 vite burgim.
6. Fatbardh Gostini me 7,6 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5 vite burgim.
7. Luan Boça me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
Duke qenë se për të njëjtin procedim është shprehur më vendim, kjo gjyqtare Daniela Shirka, nuk mund të gjykoje çështjen me penale nr. 38, me te pandehur, Gjevi Ndoka, Altin Avdyli, etj”, thuhet në kërkesën e tij.