TIRANE

Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Arben Çuko, shoferi i tij, një person i dënuar për vrasje dhe dy anëtarë të grupit Avdylaj, janë marrë zyrtarisht të pandehur nga prokuroria për Krime të Rënda.
Ish-deputeti socialist Arben Cuko, i cili u arrestua në kuadër të operacionit Volvo 4, do të përgjigjet për akuzën e korrupsion pasiv të funksionarë të lartë shtetërore.

Nga hetimet rezulton e provuar sipas prokurorisë, se kundrejt rryshfetit ai ka transferuar nga burgu i Burrelit drejt atij të Fierit të dënuarin për vrasje Olsi Karagjozi.

Prokuroria për Krime të Rënda po gjurmonte disa grupe kriminale me bazë në Shijak, të cilët kryenin trafik droge nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, kur ish-deputeti Çuko dhe shoferi i tij ranë në përgjime. Ata u dëgjuan, teksa flisnin me anëtarë të grupit kriminal Avdyulaj, për të bërë transferimin e të dënuarit. Në këmbim do të merrnin shumën prej 3 mijë eurosh dhe një makinë. Pavarësisht se në një moment ish kreu i burgjeve Cuko ka shprehur shqetësim për këtë cështje, në fund ka firmosur transferimin e karagjozit. Ky i fundit, injohur me nofkën Olsi i Qamiles, është marrë gjithashtu i pandehur.

“Nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve, u provua se kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga burgu i Burrelit, në një vend tjetër të vuajtjes së dënimit, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në burgun Fier”, -thuhet në dosjen e prokurorisë.

Arben Çuko, i cili u hetua në kuadër të dosjes së bujshme 339, për momentin ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi, pasi ka dështuar në përpjekjen për ta bindur gjykatën që ta lërë të lirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb