Apeli i GJKKO vendosë të lërë në burg Redi Mollën dhe Mariglen Qaton. Gjykata e Lartë kishte kthyer çështjen për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues, teksa pas rishqyrtimit Apeli vendosi sërish t’i lërë në burg.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më 07.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 58 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 03.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim Redi Molla dhe Mariglen Qato, në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimeve nr. 28, datë 28.03.2024 dhe nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato po gjykohen për korrupsion dhe fshehje pasurie, bashkë me Taulant Tushen, i arrestuar më herët nga SPAK.
Tushe, Molla dhe Qato u arrestuan në muajin mars të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Posaccme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Sipas Spak, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.
Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.