NGA ERVIS KUCI

FIER– Ndonëse janë proceduar që prej vitit 2010 për vjedhje në bashkëpunim të naftës së Albpetrolit dhe pastrim të produkteve të veprës penale, Vladimir Çilotaj dhe vëllai i tij, Shpëtim Çilotaj, kanë mundur të vazhdojnë aktivitetet e tyre dhe të administrojnë dhjetëra prona të paluajtshme, troje, automjete luksoze në vlerën e disa milionë eurove, pasuri që gjenden në disa qarqe të vendit.

Nga të dhënat e dosjes penale në ngarkim të vëllezërve Çilotaj që ka arritur të sigurojë “News24”, mësohet se ata zotërojnë shumë apartamente dhe dhjetëra banesa në Fier, Vlorë, Tiranë, Durrës e Sarandë.

Prokuroria e Fierit ka konstatuar edhe dhjetëra troje në Fier, Tiranë e Vlorë. Por, nga hetimet është konkluduar se pjesa më e madhe e pasurive të Çilotajve janë bllokuar nga bankat e nivelit të dytë, ku ata kanë marrë shumë kredi, ku vetëm në njërën prej tyre mësohet të kenë marrë një kredi prej 700 mijë eurosh.

Rreth 100 apartamente e banesa, trojet dhe rreth 31 automjete të llojeve të ndryshme janë sekuestruar me vendim gjykate ditën e premte. Gjithashtu, është sekuestruar edhe kompania “Ladi 2008”, magazinat ku u zbulua laboratori i drogës rreth një muaj më parë, rafineria e naftës dhe stani në Seman të Fierit.
Nga hetimet është konkluduar se që prej vitit 2010, Cilotajt kishin ngritur një skemë të pastrimit të parave me anë të rafinerisë së naftës. Vladimir Cilotaj u arrestua në fillim të vitit 2011 së bashku me ish-shefin e komisariatit të Patosit, Gerjan Kondi, pasi u akuzuan për vjedhje të naftës bruto nga puset dhe depozitat e Albpetrolit.

Edhe pse atëherë u hetuan për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, bizneset e familjes Çilotaj e vazhduan aktivitetin e tyre, deri në zbulimin e laboratorit të drogës që sapo ishte ndërtuar në magazinat në lagjen Mbrostar të qytetit të Fierit dhe kapjen e gomones në stanin e tyre. Në këtë laborator me sipërfaqe 300 metër katrorë, dyshohet se vëllezërit Çilotaj do të kultivonin lëndë narkotike të llojit canabis sativa, ku kishin siguruar edhe infrastrukturën e nevojshme për trafikimin e drogës drejt Italisë.

Ndërkohë, prokuroria ka proceduar edhe persona të tjerë që dyshohen të kenë bashkëpunuar me vëllezërit Çilotaj në pastrimin e parave.

Një ditë më parë policia njoftoi ndalimin e Xhevair Trokës, pasi dyshohet se në pikën e këmbimit valutor që administrohet prej tij, vëllezërit Çilotaj duke bashkëpunuar me Xhevair Trokën, kanë kryer transaksione në vlera të mëdha monetare me qëllim legalizimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje se me vendimin nr.62, datë 01.06.2018, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, ka caktuar në mungesë, masën e sigurimit “Arrest ne burg” dhe “Ndalim te përkohshëm për të ushtruar veprimtari të caktuar profesionale ose afariste” për shtetasit: Shpëtim Cilotaj (Shperdheja), banues në Fier; Vladimir Cilotaj (Shperdheja), banues në Fier; Xhevahir Troka, banues në Fier.

Gjithashtu, u njoftua edhe caktimi i masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim të përkohshëm për të ushtruar veprimtari të caktuar profesionale ose afariste” për shtetasit: Agur Lazer Cilotaj, lindur dhe banues në Fier, dhe Jonida Cilotaj, lindur dhe banuese në Tiranë.

GJYKATA-FIER GJYKATA-FIER-1 GJYKATA-FIER-2 GJYKATA-FIER-4 GJYKATA-FIER-3 GJYKATA-FIER-5

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb