Një dosje voluminoze hetimore, me fakte të përmbledhura që prej vitit 2020 që çoi në ekzekutimin e 28 urdhër-ndalimeve për afera me të dënuarit në burgje nga të burgosur dhe zyrtarë të IEVP-ve Peqin, Drenovë dhe Jordan Misja në Tiranë. Sende të paligjshme, si telefonë, playstation për komunikim, drogë etj u sekuestruan gjatë operacionit “Trinomi”.
Nga përgjimet rezulton se shtetasi Ilia Beshello këta telefona i merr nga një person akoma i paidentifikuar, por që ishte takuar me të pas porosisë së dhënë nga shtetasi Aleksandër Alibashi, i cili thirret dhe me emrin Sanço.
Personi nën hetim Veli Bici, 61 vjeç, ka konsumuar në të gjitha elementet e saj veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi duke qenë punonjës në IEVP Peqin ai bisedon me të dënuarin Arben Grori, ku të cilit dyshohet se i jep informacione në lidhje me kontrollin e dhomave. Personat nën hetim Gazment Braka dhe Aleksandër Sinani dyshohet se kanë konsumuar në të gjitha elementet e saj veprën penale të futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, pasi nga përgjimet telefonike rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin përdorin sende të ndaluara telefona celularë.
Personi nën hetim Arben Grori dyshohet se ka konsumuar veprën penale të futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, pasi rezulton se në ambientet ku ai vuan dënimin mban telefon celularë, i cili është send i ndaluar në bazë të rregullores së përgjithshme dhe me telefonin e tij flasin dhe persona të tjerë të cilët janë të dënuar dhe vuajnë dënimin së bashku me të në të njëjtin sektor të IEVP Peqin.
Personi nën hetim Robert Dedaj, me detyrë punonjës policie, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës pasi nëpërmjet telefonit të tij celular komunikon me shtetasin Arben Grori dhe familjarë të tij dhe më pas kryen kontrollin e automjeteve që këta të fundit kanë në përdorim me qëllim çaktivizimin e pajisjeve përgjuese dhe vëzhguese duke përdorur mjetet e tij të punës. Personat nën hetim Olgert Muçka, Artan Dulillari dhe Metkë Nucellari dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi këta shtetas gjatë kohës që kanë qenë në detyrë në vendin ku vuajnë dënimin shtetasit e dënuar Aleksandër Llanaj, Delin Hajdari dhe Leo Osmani nuk kanë vepruar konform rregullores, ku sipas të cilës kanë për detyrë të kontrollojnë në mënyrë periodike dhomat ku qëndrojnë të dënuarit duke sjellë për pasojë konsumimin nga të dënuarit gjatë organizimit të festave të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike të cilat janë sende të ndaluara.