Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i cilësuar si financues i një rrjeti të fuqishëm kokaine nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, është fotografuar teksa shoqëronte dy kolumbianët, Cesar Avila dhe Walther Moreno, të cilët u prangosën në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit, që ishin shndërruar në një laborator të sofistikuar të përpunimit të drogërave të forta. Hetimet mbi grupin kriminal që trafikonte drogë nga Kuba në Shqipëri mandej me destinacion final vendet e Europës, nisën mbi bazën e një informacioni të ardhur nga autoritetet gjermane. Prokuroria urdhëroi vëzhgimin e të dyshuarve, ku disa prej tyre u përgjuan në një dreke në një lokal në Elbasan, ku flisnin hapur për pazaret e drogës. Mbi Ermal Hoxhën dhe të tjerët rëndojnë të paktën 5 akuza mes të cilave “grupi i strukturuar kriminal” dhe “prodhim lëndësh narkotike” i cili kur kryhet në bashkëpunim dënohet deri në 15 vjet burg.
Sinjalizimi nga Gjermania
Në datën 18.12.2014, Proku-roria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr.335 për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve” e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Nga aktet e këtij hetimi rezulton se në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Si organizatorë të trafikut dyshohej se ishte shtetasi shqiptar, i quajtur Ilir Hyseni. Nga hetimet rezulton se Ilir Hyseni ka komunikuar shpesh një person të quajtur Joti (i identifikuar më pas si Kastriot Imeri). Sipas informacioneve të autoriteteve gjermane, Ilir Hyseni komunikonte edhe me një person me emrin Ermal, i cili më pas gjatë hetimit rezultoi të ishte Ermal Hoxha. Nga hetimi i kryer përmes metodave speciale të hetimit, rezultoi se Ilir Hyseni pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me Kastriot Imerin, i cili rezultoi të ishte pronar i një servisi automjetesh, në Kombinat, Tiranë. Në këtë rezultoi të ndodhej automjeti “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, me targë xxxx, i cili rezultoi se do të modifikohej me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike pas mbërritjes së korrierit. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni, përveç kontakteve me Kastriotin, kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha deri sa në datën 13.1.2015, u zbulua se këta shtetas hynin në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty hynin edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, dhe Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku, i thirrur me nofkën “kinezi”. Rezultoi gjithashtu se personat komunikonin shpesh me njëri-tjetrin. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre.
Shoqërimi i kolumbianëve
Gjithashtu u konstatua nga vëzhgimet se edhe dy shtetas të huaj të cilët më pas rezultuan të ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Walther Moren Moreno, hynin në ambientin e sipërcituar. Shoqërimi i tyre është bërë nga Ermal Hoxha dhe Kelmend Dalipi. Nga raportet e vëzhgimit të datës 13.1.2014, rezulton se ka qenë Ermal Hoxha që i ka marrë dy shtetasit kolumbianë nga magazina në Elbasan dhe i ka çuar në Tiranë. Ermal Hoxha, mëngjesin e datës 14.01.2015, komunikon me një person tjetër në mënyrë që të mundësonte transportimin e dy personave për në Elbasan. Nga bisedat del që personat duhet t’i vinte t’i merrte Kelmendi. Dhe në fakt, nga raportet e vëzhgimit, rezulton se në orën 10.30, Kelmendi ka hyrë në ambientet e magazinës me mjetin e tij nga ku kanë dalë edhe dy persona të veshur me të zeza që ishin shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Ëalther Moren Moreno. Në këto kushte, duke parë mënyrën se si këta persona vepronin, policia gjyqësore ndërhyri në kushtet e flagrancës duke ushtruar një kontroll në magazinë. Në momentin e ndërhyrjes, aty u gjetën Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Cesar Avila dhe Ëalther Moren Moreno, të cilët u arrestuan në flagrancë pasi në ambientin e kontrolluar u zbulua një laborator për prodhimin e përpunimin e lëndëve narkotike.
Zbulimi i laboratorit
Nga kontrolli dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transformimin dhe përpunimin e substancave që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas kalimit në procese kimike përmes ndërhyrjes së prekursorëve dhe substancave të tjera kimike, dilnin në një produkt përfundimtar që ishte lënda narkotike e dyshuar si kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg. Në magazinë, u sekuestrua në një peshore një sasi prej 436 gr, e cila ka karakteristikat e kokainës. Gjithashtu, të futura në qese apo thasë, u sekuestrua edhe një sasi tjetër lënde pluhur me ngjyrë të bardhë, të përshkruara në detaje në këqyrjen e magazinës. Gjithashtu, u sekuestrua e futur në tre thasë një sasi me pluhur të kuqërremtë. I njëjti pluhur u gjend edhe në 30 qese plasmasi. Në fuçi apo enë të ndryshme u gjetën edhe sasi lëndësh kimike në gjendje të lëngshme apo tretësira, të cilat dyshohet se përdoreshin për procesin e përpunimit të substancës bazë ku ndodhej kokaina. Gjithashtu, u sekuestruan edhe shumë pajisje të cilat përdoreshin në procesin e përpunimit si furra me mikrovalë në pjatat e të cilave kishte mbetje pluhuri të bardhë që dyshohet si kokainë, presë, lavatriçe, termometra, doreza plastike, provëza, bidonë me mbishkrime lëndësh acide, sobë gazi etj. Është për tu theksuar se gjatë vëzhgimit në datën 14.1.2015, Ilir Hyseni, Arjan Dalipi dhe Gentian Gjonaj janë parë duke derdhur në pjesën e pasme të objektit përmbajtjen e disa kovave blu, çka tregon pjesëmarrjen e tyre aktive në procesin laboratorik. Në lidhje me shtetasit kolumbianë, dyshohet se ata ishin personat që kishin njohuritë e duhura për transformimin e lëndës bazë që dyshohet se ka përmbajtje kokaine në produktin final. Në vijim të kontrollit, në magazinë u sekuestrua edhe një automatik model 56, si dhe 70 copë fishekë 7,62 mm dhe një krehër automatiku me 19 fishekë. Në vijim të operacionit policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Sajmir Batku, të cilit iu sekuestruan në automjetin e tij ‘Jeep’ me targë TR xxxxT, 19,416 kg lëndë narkotike që dyshohet si kokainë, e futur në 18 pako në formë paralelopipedi. Në makinë iu gjetën gjithashtu edhe një pistoletë dhe një kuti me 50 fishekë 50 mm. Këtij shtetasi iu sekuestruan edhe 322 010 euro dhe 293 000 lekë. Në flagrancë u arrestua edhe shtetasi Kelmend Dalipi, të cilit iu sekuestruan në banesë edhe 68 fishekë arme gjahu. Shtetasit Ermal Hoxha gjatë arrestit nuk iu gjend asnjë send i kundërligjshëm.
Në këto kushte, del qartë se shtetasit Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, Ermal Hoxha, Kastriot Imeri, Cesar Avila dhe Ëalther Moreno, bëjnë pjesë në një grup të strukturuar, në kuadër të të cilit ata kanë prodhuar lëndë narkotike dhe kanë tentuar trafikimin e saj jashtë shtetit. Për këtë qëllim ata kanë ndërtuar edhe një laborator, ku përpunohej lënda bazë që dyshohet se përmbante kokainë dhe dilte në formën e saj përfundimtare e gatshme për tu shitur në treg apo trafikuar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: