Kryetari i PD, Sali Berisha ka zbardhur detaje sot nga aktakuza e SPAK ndaj tij, pasi Prokuroria e Posaçme e mori zyrtarisht të pandehur për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Gjatë një komunikimi online me gazetarët, Berisha iu referua dosjes së SPAK duke theksuar se ai akuzohet se është korruptuar nga vajza e tij, Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi, duke kontribuar çdo vit për fondacionin “Fëmijët shqiptarë” që drejtohet nga Liri Berisha.

“Kështu, në aktakuzën e tyre, treshja mercenare e prokurorisë private të Edi Ramës kanë sjellë si prova të korrupsionit tim pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza ime, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, pra me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, drejtuese e të cilit është Liri Berisha. Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro. Nuk është zakon kurrë të falënderosh publikisht familjarët, por nuk mund të ndalem pa i falënderuar me shumë mirënjohje Abin dhe Argitën sepse kanë mbajtur, kanë vazhduar traditën më fisnike të shqiptarëve, bujarinë dhe bamirësinë, e cila ka pasur në kohëra vlerësimet më të larta”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri theksoi se nga dosja hetimore janë publikuar edhe emrat e fëmijëve autikë që pranuan bamirësinë.

“Këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse këta jo vetëm amnistojnë me urdhër dhe kundrejt pagesës zyrtarë kriminelë që me vjedhjet e tyre kanë shkaktuar për mungesat e ilaçeve apo përdorimin e ilaçeve të skaduara etj, etj, vdekjet e qindra e fëmijëve të moshave të ndryshme, por këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin se krim virtytin e bamirësisë shqiptare, të dëshmuar në mënyrën më transparente dhe ligjore, por ata si monstra të fëmijëve tanë, në rastin konkret femijëve autikë, kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë. Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë. Thashë se kjo treshe, që ka kryer këtë akt, në ligjet e vendit nuk mundet kurrë të shkelte privacinë e fëmijëve, por edhe në kodin moral shqiptar të bamirësisë thuhet se atë që jep dora e djathtë si bamirësi, nuk duhet ta dijë dora e majtë. Po këta janë monstra të zhveshur nga çdo ndjenjë e njeriut të civilizuar“, vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb