Anëtari i Kryesisë së PD, Indrit Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka komentuar detajet e reja të dosjes së SPAK për kryedemokratin Sali Berisha.
Hoxha u shpreh se paratë e shfaqura në dosje se janë paguar për shpenzimet e familjes Berisha, janë pjesë e pasurisë së deklaruar nga e bija e Sali Berishës, Argita.
Ai shtoi se pasuria e kësaj të fundit sipas tij ka qenë e deklaruar në ILDKPI dhe u është nënshtruar pagesave të taksave dhe transparencës, ndaj edhe lind e drejta e shpenzimit të tyre sipas dëshirës.
Sa i takon akuzës së favorizimit të Jamarbër Malltezit, Hoxha u shpreh se nuk ka qenë vetëm dhëndri i ish-kryeministrit përfitues i akteve ligjore, por kanë qenë shumë pronarë përfitues.
Këto para që kanë dalë aty, kanë qenë të deklaruara në ILDKPI, sepse vajza e Berishës ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë. Në dijeninë time këto të ardhura ishin pjesë e kësaj pasurie. Në momentin që për këto para dihet pagesa e taksave, etj. lind e drejta për të bërë çfarë të duan me këto para.
Sa i përket pjesës së favorizimit të Malltezit nga zoti Berisha, kanë përfituar shumë më shumë pronarë, jo vetëm zoti Malltezi. Shyqyr që kanë qenë këto akte ligjore që ish-pronarët kanë pasur mundësinë të marrin pronat e tyre.