Konstitucionalisti Bledar Dervishaj për rubrikën “Opinion” në News24 tha se kemi një zgjatje të tejzgjatur të hetimeve ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se procesi zgjati për 4 vjet.
Dervishaj tha se nga momenti i mbylljes së hetimeve, mbrojtësit ligjorë të z. Berisha kanë një afat 10 ditor, dhe mund t’i parashtrojnë akuzës memo, ballafaqim, vlerësime të ndryshme, kërkesa, për të cilat SPAK duhet të shprehet nëse e pranon apo jo.
Në vijim të sqarimit të procedurave, Dervishaj tha se filtri i rradhës është ai i Gjyqtarit të seancës paraprake, i cili shprehet nëse çështja kalon për gjykim, e rikthem për hetime të mëtejshme, ose vendos që të mos nisë procesi.
“Në vlerësimin tim për rastin e z. Berisha kemi masat e sigurisë, që për mendimin tim, kemi të bëjmë me caktimin e masave pa pyetur Kuvendin.
Në nëntor Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse kemi ose jo veprime anti-Kushtetuese nga SPAK dhe Gjykatat e tjera, dhe më pas do të shohim që bazuar në këtë vendim të Kushtetueses, të shikojmë si do të ecë procesi”, tha Dervishaj.
Ai tha se pavarësisht veprës penale që akuzohet, ish-Kryeministri nuk ka pse të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
“Në momentin kur janë mbyllur hetimet, SPAK duhet ti drejtohet Gjykatës për t’i caktuar një masë më të lehtë, duhet të kemi parasysh proporcionalitetin në rastin e masave të sigurisë”, tha Dervishaj.
Ai tha se duhet të ketë lehtësim të masave të sigurisë dhe në momentin që janë mbyllur hetimet, besoj se duhet të kemi një caktim të masave të sigurisë më të buta.
Lidhur me kohën se kur mund të përfundojë procesi i gjykimit të z. Berisha, Dervishaj tha se mendonte se nuk mund të përfundojë para zgjedhjeve të 2025.
“Proceduralisht është e pamundur, besoj se zgjat 2 vjet. Nëse do të kemi gjykim themeli, ku do të kemi përplasje argumentesh, nuk mund të dalë vendimi i formës së prerë përpara dy viteve.
A nëse do të kemi një gjykim të shpejtë, mund të përfundojë edhe për 3 muaj, por ky është nga ato raste që do të kemi përplasje argumentesh”, tha Dervishaj.