SPAK ka dërguar në GJKKO dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” për të cilët ka marrë të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si dhe Andina Pustinën.

GJKKO në një njoftim zyrtar bën të ditur se nesër do të hiqet edhe shorti për përcaktimin e trupës gjykuese, ku nga ky short përjashtohet gjyqtarja Irena Gjoka, për shkak se ajo ka caktuar masat e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Berisha dhe të pandehurve të tjerë.

Trupa gjykuese do të përzgjidhet mes 10 gjyqtarëve të GJKKO.

“Nesër, me datë 16.10.2024, ora 09:00 do të hidhet në short dosja penale, seancë paraprake (kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq, procedimi penal nr. 278, i vitit 2020), me kërkues Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehur: Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andina Pustina, Studio Pustina sh.p.k, Shoqëria Homeplan sh.p.k dhe Shoqëria Kontakt sh.p.k”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për kryetarin e PD Sali Berisha e dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe Andina Pustina, rreth 1 vit pas caktimit të masave të sigurisë ndaj ish-Kryeministrit.

Përfaqësuesit e akuzës Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai dorëzuan të martën e 15 tetorit materialin në GJKKO. Ndaj Berishës është ngritur akuza e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij akuzohet edhe për pastrim të produkteve të veprës penale, kryer në bashkëpunim. Po kështu akuza për pastrim parash janë ngritur edhe ndaj Xhimi Begejas dhe Fatmir Bektashi, sikundër edhe ajo e korrupsionit aktiv.

Berisha dhe dhëndri i tij, Malltezi, që ndodhen në masën e sigurisë  “arrest shtëpie” e kanë cilësuar procesin si politik. Prej disa muajsh Berisha dhe Malltezi akuzojnë SPAK se ndodhet nën kontrollin e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa prokurorët që hetuan dosjen “Partizani” dhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë, Irena Gjoka, u përballën me akuza dhe sulme të forta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb