Pas dëshmisë së dhënë në polici, “Balkanweb” zbardh edhe dëshminë e dhënë para grupit hetimor nga Alkond Bengasi, tashmë në statusin e dëshmitarit të drejtësisë.

Në dosjen e Prokurorisë, siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala zbulohet edhe mënyra se si ka mbërritur policia në gjurmët e Klement Çalës, i konsideruar ndryshe si “mjeshtri i grabitjeve”.

Ka qënë një telefonatë mes kunatave të Klementit, të përgjuara fill pas grabitjes. Gratë kanë shprehur shqetësimin se personi që mund të ishte vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mund të kishte qenë pikërisht Klementi. Po ashtu, në dosje thuhet se në përgjim kanë qenë edhe familjaret e Admir Muratajt.

Pas telefonatës së kunatave, janë mbledhur informacione në rrugë operative dhe kanë gjetur servisin si edhe mbetje të furgonit. Pikërisht në atë kohë Bengasi ka pranuar të bashkëpunojë. Deri më tani ai nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me vendndodhjen e parave të grabitura në Rinas.

Kushëriri i Klement dhe Eldi Çalës, ka rrëfyer se ishte punësuar në servisin e Eldit në Elbasan 5 muaj para se të ndodhte grabitja. Pikërisht këta të dy e kanë prezantuar me Admir Muratajn, të cilin e thërrisnin me pseudonimin “daja”. Në këtë prezantim Murataj i ka kërkuar modifikimin e furgonit, të cilit iu vendos më pas edhe mbishkrimi “Hetimi Tatimor”.

“Furgoni ka qënë tip tjetër dhe e bëmë Volkswagen. Më kërkuan bateri shtesë në pjesën e parë. Aty ka ardhur edhe Olti (Veseli) dhe nje person me emrin Tani. Më pas kam mësuar që mjetet janë përdorur për grabitje. Nuk kam ditur gjë që do realizohej grabitja”,- ka thënë ai.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet ndër të tjera që Bengasi i ka identifikuar grabitësit e tjerë nëpërmjet fotove. Hetuesit i kanë nxjerrë atij foto të të dyshuarve dhe ai ka identifikuar ata që njihte apo kishte takuar.

Mësohet po ashtu se për ngjarjen janë edhe tre persona të tjerë në kërkim por edhe një femër, roli i së cilës është ende i paqartë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb