Prokuroria për Krime të Rënda cel një tjetër hetim për të identifikuar bashkëpunëtorët e Arbër Çekajt në trafikimin e 613 kilogramëve kokainë kolumbiane, që u bllokuan në magazinat e kompanisë “Arbri Garden” në Durrës. Dosja mban nr.40/1 dhe hetimet po drejtohen nga prokurori Edvin Kondili.Ky i fundit, dy muaj më parë, mori të pandehur biznesmenin Çekaj, menaxherin e kompanisë Donald Lushaj dhe shoferin e kamionit Armando Pezaku dhe i dërgoi për gjykim nën akuzën e trafikut ndërkombëtare të lëndëve narkotike, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ndërsa Gjykata për Krime të Rënda po shqyrton dosjen voluiminoze ndaj të pandehurve, ndonëse në mungesë të biznesmenit Çekaj, prokuroria nga ana tjetër po vijon hetimet. Kjo për faktin se ka dyshime të forta, se në trafikimin e sasisë rekord të drogës, janë përfshirë edhe persona të tjerë. Hetimet 1-vjecare nxorën në dritë faktin se Arbër Çekaj, është porositësi i lëndës narkotike, por ende nuk janë zbuluar pritësit e mallit. Sasia e drogës vlera e së cilës përllogaritet 180 milionë euro, u bllokua në magazinat e kompanisë Arbri Garden, në pronësi të Çekajt, në shkurt të 2018.

Asokohe u ngritën dyshime se operacioni u dekonspirua dhe në këtë mënyrë shpëtuan bosët e mëdhenj që ishin dhe pritësit e mallit. Arbër Çekaj që konsiderohet personazhi kyc në rrjetin e trafikut mbahet i arrestuar në Gjermani prej muajit maj të 2018. Pak javë më parë, gjykata e Dyssedorfit vendosi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Për faktin se biznesmeni e ka apeluar vendimin, por njëherazi pritet shqyrtimi i kërkesës së tij për azil, mbetet e paqartë koha se kur ai do të mbërrijë në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb