Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon listën 6 611 me pronarët që kanë aplikuar për kompensimin e pronës në vitet 1993-2013, të cilëve u është njohur e drejta e kompensimit dhe është kryer vlerësimi financiar. “Gazeta Shqiptare” publikon listën me përfituesit në të gjithë vendin si dhe vlerën financiare për secilën dosje. Lista është botuar në Fletoren Zyrtare dhe bëhet fjalë për dosje të cilave Agjencia e Trajtimit të Pronave ka dhënë një vendim. Ndërkohë në 23 shkurt ATP ndërpreu procesin e vlerësimit të dosjeve dhe pronarët që nuk janë njohur me vendimin duhet t’i drejtohen gjykatës.


Kompensimi financiar dhe fizik
Sipas formularëve-tip, mësohet se kërkuesi duhet të cilësojë faktin se kërkon kompensim financiar. Për plotësimin e dosjes duhet të paraqitet kërkesa për kompensim financiar/fizik, konfirmim nga ZVRPP-ja për gjendjen juridike të pronës, vërtetim nga gjykata nëse vendimi përfundimtar i vlerësimit të tij është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashë-gimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashë-gimtarët, vërtetim numër llogarie, vërtetim nëse subjekti ka përfituar ose jo tokë bujqësore, dokument identifikimi dhe mandat pagese. Të njëjtat dokumente duhet të paraqiten edhe në rastin kur pronari kërkon kompensim fizik.


Llogaritja
Kompensimi për ish-pronarët për tokën truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 milionë lekë sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Neni 8 pika a e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.


Listën e plotë me emra e gjeni sot në Gazeta Shqiptare print, në çdo pikë shitje gazete