Nga: NDRIÇIM MEHMETI *
Çështja e hapjes së dosjeve është një temë e shumë përfolur në Shqipëri, që në fi llim të viteve ‘90 të shekullit që lamë pas. Për arsye nga më të ndryshme, politike, juridike, nisma të miratuara ose jo prej organizmave evropianë, hapja e dosjeve dhe lustracioni në Shqipëri nuk u arrit. Një ligj i hartuar enkas për këtë qëllim dhe lustracionin hasi në kundërshtinë e opozitës së asaj kohe, sot pozitë. Çështja shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit pati objeksionet e saj. Prej asaj kohe, duhet të vinim në vitin 2014 e në vazhdim, që të riniste diskutimi për hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Një pjesë e politikës dhe shoqërisë civile hartuan vetë një projektligj dhe ia dorëzuan parlamentit shqiptar. Menjëherë pozita, që kishte heshtur deri në atë periudhë, përdori elementin surprizë për të thënë se ajo e kishte gati projektligjin, për të cilin kishte “punuar” në heshtje dhe e kishte dërguar për shqyrtim në parlament. Qeveria u kujdes edhe kësaj radhe të mos kapej gafil prej askujt, por të ishte në mos një lëvizje para, të paktën në të njëjtin hap me “ndjesinë e njerëzve”.
Ajo që bie në sy mendoj se është fakti se si e paraqet qeveria këtë nismë të saj. Ajo kërkon që ta bashkojë nismën e hapjes së dosjeve, “aksionit” për rehabilitimin, kompensimin dhe riintegrimin e të përndjekurve politikë. Pra, qeveria nuk e sheh hapjen e dosjeve si një borxh ndaj shoqërisë shqiptare, por si një qokë që duhet të paguaj në natyrë, në mungesë të të hollave të mjaftueshme, për shtresën e ish-të persekutuarve politikë. Pra, si të thuash, shoqëria shqiptare që ka vuajtur një regjim të pashembullt diktatorial, njerëz që ende nuk e dinë nëse janë spiunuar ose jo, apo ata që kanë bindjen se janë spiunuar, nuk mund të kenë asnjë mundësi vështrimi mbi dosjet, në rast se nuk kanë statusin e të përndjekurit politik. Mundet të jem i gabuar, por faktet të çojnë në këtë perceptim. Nëse ishte ndryshe, përse qeveria do të aktivizonte zëvendëskryeministrin, ministra, drejtues të institucioneve të të përndjekurve për të shpjeguar se hapja e dosjeve është një detyrim ndaj shtresës së të persekutuarve politikë? Peleshi surprizoi jo pak me deklaratën e tij shumë “serioze” në Shkodër para të përndjekurve politikë se “në këto 24 vite hapja e dosje është zvarritur duke përdorur qëllimisht ish-të përndjekurit”. Mbase zëvendëskryeministri duhet të dijë më shumë, duke qenë për një kohë të gjatë në politikë, se kush janë të përndjekurit politikë që janë përdorur, por si shtetar, ai duhet të na shpjegojë se çfarë përfiton shoqëria shqiptare në tërësi nga hapja e dosjeve. Z. Peleshi dhe ministrat përgjegjës për këtë punë nuk na kanë thënë asnjëherë se si do të trajtohen nga pasardhësit e atyre që janë pushkatuar, rrahur e keqtrajtuar prej forcave partizane, përpara 28 nëntorit 1944. Zëvendëskryeministri, apo shefi i institucionit të të përndjekurve politikë, trashëguar prej të atit, z. Bilal Kola, nuk na treguan sesi do të trajtohen nga qeveria, “që digjet” për këtë shtresë, intelektualët, oficerët dhe tregtarët e vrarë nga ushtria partizane në ditët kur po çlirohej Tirana. A do të përfitojnë këta pasardhës rehabilitimin e merituar, prej vuajtjeve të pësuara nga terrori i ushtruar prej atyre që qeverisën Shqipërinë deri në vitin 1990? Ligji i dosjeve dhe ai për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë nuk e merr në konsideratë këtë grupim. Ata janë përsëri të lënë pas dore. Me siguri, z. Peleshi, që e dinte mirë qëllimin se përse nuk janë hapur dosjet për 24 vite, e di po aq mirë se përse ky grupim njerëzish nuk është në agjendën e qeverisë. Po kështu, duhet ta dinë edhe njerëzit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë ende, në përputhje me meritën se janë trashëgimtarët e tyre në linjë mashkullore e femërore, në Institutin e të Përndjekurve Politikë. z. Veliaj dhe z. Peleshi, meqë i njohin mirë punët e të persekutuarve, duhet të jenë njoftuar prej vartësve të tyre për fshesën e hekurt që qeveria e tyre, e cila “po lodhet kaq shumë”, për ish-të përndjekurit, ka përdorur për t’i larguar nga puna. Edhe pse pasardhësit e kësaj shtrese bënë të gjitha përpjekjet për të studiuar, punuar me ndershmëri dhe për t’u përpjekur edhe vetë për riintegrimin në një shoqëri të lirë, tani pas 24 vitesh, ata e shohin veten përsëri në rrugë. Si 25 vite më parë, shumë syresh prej ish-të persekutuarve politikë janë në përpjekje për mbijetesë.
Nëse qeveria duhet vërtetë të mendonte për riintegrimin e të persekutuarve politikë, larjen e borxheve ndaj tyre dhe t’i shikonte drejt e në sy, duhet të ndërmerrte hapa të pakthyeshëm dhe jo të ndiqte një politikë me dy fytyra. Kolegët e Veliajt dhe Peleshit përshëndesnin buzagaz njerëzit me foton e Enverit, e nderonin dhe përkuleshin para tij nga Berati në Gjirokastër e nga Vlora te busti i “Partizanit të panjohur” në Tiranë. Qeveria mund të ishte kujdesur po aq mirë për vendin që u bë shkak për pushkatimin e 22 burrave dhe 1 gruaje, sikundër u kujdes për “shtëpinë me gjethe”. Qeveria mund të kujdesej shumë më mirë për shtresën e të persekutuarve, siç u kujdes për veteranët 65-vjeçarë me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit. Tani “asi” në mëngë i qeverisë për të persekutuarit është pikërisht ligji për hapjen e dosjeve. Po le të themi se u hapën dosjet, pyetja më e thjeshtë është: Çdo të ndodhi me atë që ka spiunuar dikë dhe sot është me i veshur me post zyrtar në nivel lokal dhe qendror? Po me një parlamentar, apo këshilltar bashkiak? A ka lustracion veç hapjes së dosjeve, apo gjërat do të mbeten në ndërgjegjen e spiunit? Ky do të ishte një debat shumë i shëndetshëm për të gjithë shoqërinë. Nuk duhet dhe nuk mundet që hapja e dosjeve t’i takojë një shtrese, sado e përvuajtur të jetë ajo. Natyrisht që në shumicën e rasteve ata janë më të prekurit, por hapja e dosjeve kërkon më shumë se një dirigjim nga qeveria, drejt një grupi të caktuar. Ky proces kërkon më shumë se dakordësinë, një shprehje që i pëlqen qeverisë, të vetëm një grupimi njerëzish. Ky proces kërkon një konsultim të gjerë me njerëzit që kanë lindur pas diktaturës komuniste, të cilët duhet të dinë se çka ndodhur me jetën e paraardhësve të tyre. Procesi do guxim për të dhënë disa fakte, që shkojnë përtej një borsaline të varur në mur, një jorgani atllaz, apo telefonit “Taj 44”. Njerëzit duan të dinë se kush i kishte në dorë jetët e tyre, kush i përdori familjarët kundër njeri-tjetrit? Kush çoi në vetëvrasje, bashkëshortë që u servireshin provat e mbledhura prej bashkëshorteve të tyre, baballarë që u vetëdogjën se çuan në plumb apo burgim të përjetshëm djemtë e tyre, motrat që u vetëhelmuan apo u hodhën në humnerë se tradhtuan vëllezërit e tyre.
A mundet të na e bëjë procesin e hapjes së dosjeve më të lehtë deklarata e trashëgimtarit-drejtor i Institutit të të Përndjekurve, se: “Procesi është serioz tani që kemi një kryeministër, që jo vetëm nuk ka lidhje me të kaluarën, por ka qenë edhe disident”? Vështirë se besohen të dyja. Pra, që z. Rama të ketë një “disident” i komunizmit, siç ishte edhe deklarata se “në 8 dhjetor 1990”, ka qenë në Tiranë dhe e dyta se, qenia e tij kryeministër e lehtëson procesin. Ky proces nuk lehtësohet, kryesisht prej vullnetit të kryeministrit, në rast të një refuzimi, paaftësie apo mungese dëshirë të institucioneve të tjera. Procesi bëhet më i lehtë, më i qartë dhe më i hapur ndaj publikut, për sa kohë ai të jetë gjithëpërfshirës. Për sa kohë që një zëvendëskryeministër e sheh si borxh, dikush, si kalin e betejës në 24 vjet, të cilin e gjeti azat në pyll dhe tani e mori, do ta ushqejë e ta paraqesë për të sapolindur, e dikush si një mundësi për të bërë pak vota, vështirë se dosjet në Shqipëri do të hapen seriozisht.
Besoj se do të kalojnë dhe pak muaj dhe në prag të dështimit të një procesi që e morën aq për zemër, do të vijojnë deklaratat e zakonshme “ne ndërmorëm një plan të mirë strukturuar. Por fajin e kishte Saliu me SHIK-un që i dogjën ca dosje”. Në fund do të thonë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, “ju japim këstin e 6 apo 7 dhe 100 dosje që gjetëm”.
A do kishte fillim dhe fund më lumtur se ky?

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: