Për Anthony Fauci, fakti që nuk i duhet të punojë më me Donald Trump, është një ‘ndjenjë çliruese’. Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive të Amerikës kishte një marrëdhënie të çrregullt me Trump dhe thotë se ishte gjithnjë e më shumë i lënë mënjanë.
Fauci tha të Enjten se ndihej “i çliruar” që tani mund të ishte në gjendje të fliste të vërtetën shkencore për koronavirusin pa frikë nga “pasojat” e Donald Trump.
Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, duroi një marrëdhënie të trazuar me ish-presidentin dhe ishte gjithnjë e më shumë i mënjanuar nga informimet publike, shkruan The Guadian.
Por 80-vjeçari u kthye në podiumin e Shtëpisë së Bardhë të Enjten pasi Joe Biden shpalli një strategji kombëtare kundër Covid-19 dhe nënshkroi 10 urdhra ekzekutivë për të luftuar pandeminë që tani ka marrë më shumë se 400,000 jetë në SHBA.
“Një nga gjërat që ne do të bëjmë është të jemi plotësisht transparent, të hapur dhe të ndershëm”, u tha Fauci gazetarëve.
“Nëse gjërat shkojnë keq, mos ngrini gishtin e akuzës, por për t’i korrigjuar ato. Dhe për të bërë që gjithçka që bëjmë të bazohet në shkencë dhe prova. Kjo ishte fjalë për fjalë një bisedë që unë bëra 15 minuta më parë me presidentin dhe ai e ka thënë atë shumë herë”, tha Fauci.
I pyetur nëse do të donte të ndryshonte ndonjë deklaratë ose të sqaronte ndonjë gjë që ai ka thënë gjatë presidencës Trump, Fauci këmbënguli se ai kishte qenë gjithmonë i sinqertë.
“Kjo është arsyeja pse ndonjëherë kam pasur probleme”, shtoi ai.