NGA ARMIR MEHAJ* 

TIRANË- Edhe pse me një kontribut të gjerë human në mbarë Shqipërinë dhe kryesisht në zonat e varfra të vendit tonë, Marianne Graf gjithnjë ka qëndruar në heshtjen e saj prej bamirëseje larg bujës dhe skenave pompoze që jo rrallë ndodh me të tillë njerëz në Shqipëri. E dashuruar pas vendit tonë dhe e prekur nga varfëria me të cilin ajo përballet sa herë është në Shqipëri, zonja Graf prej vitit 1992 ofron kontributin e saj në ndihmë të shqiptarëve të varfër.

Shpesh të ngjan e pabesueshme, por kontributi i saj në shumë zona të veriut shqiptar është më i madh se sa ajo çfarë ofron vetë shteti. E përballur me dhimbjet e shpirtrave të cilët vuajnë nga skamja që shpesh kalon kufijtë e imagjinatës për këdo, zonja Graf prej më se 20 vitesh financon e mbledh ndihma duke ndryshuar kursin e jetës për qindra familje shqiptare.

Ishte iniciativa e saj për krijimin e Shoqatës së partneritetit Shqipëri- Austri (Partnerchaft), shoqatë të cilën ajo e financon që nga vitit ‘92 sëbashku me bashkëshortin, një diplomat dhe inxhinier i njohur në Evropë, z.Wilhelm Graf. Që kur erdhi në Shqipëri zonja Graf pati fatin siç e konsideron dhe vetë të takojë dhe njoh Skënder Thaçin një kontribuues i madh i shqiptarëve, i cili prej ditës së themelimit të shoqatës humanitare është dhe koordinator në Shqipëri e Kosovë i Marianne Graf.

Pedagogia austriake e njohur për studimet mbi antropologjinë dhe politikat e zhvillimit në Turqi, Algjeri, Tunizi, Indi, Jemen Indonezi, Nepal, Tanzani etj, në Shqipëri është një shembulli i qartë, ngjashëm me humanisten shqiptare Nënë Tereza, falë ndihmës dhe dashurisë që ajo ofron për të varfrit. Aktiviteti i saj i shtrirë në ndihme të të varfërve në Shqipëri u përqendrua në zonat si Durrësi, Kurbini, Mati, Kukësi, Hasi, Tropoja, Shkodra, Puka dhe Mirdita, duke asistuar me ndihma në veshmbathje dhe ushqime në më shumë se 30 mijë familje shqiptare.

Humanistja e madhe austriake mbahet mend nga vëllezërit kosovare për ndihmën e madhe e të pakursyer ne eksodin e vitit 1999, ku ajo priste qindra të dëbuar nga vendlindja e tyre, duke i trajtuar me ushqime dhe veshmbathje,sapo ata mbërrinin në Shqipëri. Falë dashurisë për të përvuajturit, zonja Graf, gjatë eksodit të kosovarëve arriti të strehonte me shume se 1230 kosovare në kampet e ngritura enkas për ata, gjatë kohës se konfliktit, ndërsa trajtonte çdo muaj me ndihma ushqimore, detergjent dhe veshmbathje plot 13 mije nga të dëbuarit kosovar. Pas rikthimit në Kosove humanistja austriake ndërton dhjetëra banesa për të rikthyerit pas  përfundimit të luftës, dy fshatra ndërtohen nga e pare prej saj.

“Ishte rastësia viti 1992 që më çoi në Shqipëri, e cila në atë kohë kishte qenë e shkëputur plotësisht nga bota e jashtme për rreth 50 vite si rezultat i diktaturës më të përgjakshme dhe të çmendur përgjatë bllokut Sovjetik dhe vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Mosbesimi, frika, plogështia, çorientimi dhe mungesa e shpresës ishin të dukshme përveç urisë dhe varfërisë së madhe, sidomos larg kryeqytetit, Tiranës. E prekur nga kushtet e  tmerrshme në arsim dhe shëndetësi si dhe trazirave të brendshme të këtij populli në zemër të Evropës, unë themelova së bashku me tim shoq shoqatën e bamirësisë  ‘Dipl. Ing. Wilhelm Graf’. Si një edukuese e përkushtuar e pashë të nevojshme të rinovoja një shkollë të shkatërruar por pastaj u përballa me varfërinë dhe urinë e pabesueshme të Shqipërisë veriore gjatë dimrit të ashpër. Më dukej e padurueshme që të mos bëja asgjë”, tregon per BalkanWeb humanistja e madhe Marianne Graf.

“U ndjeva sikur përballesha me dy alternativa: “Të ndihmoja kurdo që të kisha kohë dhe mundësi – aktualisht një lloj ndihmë si aventurë dhe argëtim çlodhës ose një ndihmë pa ‘nëse’ ose ‘por’,  një angazhim i plotë duke përjashtuar dobësinë.

Zgjodha alternativën e dytë, e vendosa veten time në anën e të pashpresëve, u bashkova me aleancat kundër padrejtësive shoqërore për të mbrojtur dhe për të ndërtuar projekte që kapërcenin vuajtjet shpirtërore dhe ato materiale dhe për të ndihmuar njerëzit që të gjenin mundësi për të ardhmen në atdheun e tyre” vijon të tregojë ajo teksa kujton momentet se  si erdhi dhe vitet e para të ndihmës në Shqipëri.

Dr.Marianne Graf, e cila është në 11 komuna dhe bashki të Shqipërisë “Qytetare Nderi” mbart titullin e lartë “Nëne Tereza” akorduar nga presidenti I Shqipërisë në vitin 1996 për kontributin e saj në ndihmën e të varfërve, paqen dhe përmirësimin e infrastrukturës në zona të varfra. Kandidatja për çmimin “Nobel të Paqes” e dashuruar pas Shqipërisë dhe të varfërve në vendin tonë numëron sot qindra investime jo vetëm për ndërtimin e shtëpive për të skamurit, ndërtimin e urave dhe shtigjeve rrugore në fshatra të izoluar, ndërtimin dhe restaurimin e dhjetëra shkollave, Qendrave Shëndetësore, Qendrave Sociale si dhe investimet për mjedisin. Orientimi i saj për ruajtjen dhe nxitjen e turizmit social kulturore jo vetëm që ka sjell investime për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e vlerave dhe ndërtimeve etno kulturore në veriun e Shqipërisë dhe Kosovë, por ngjall  interes për nxitjen e këtij biznesi, çfarë sjell të ardhura për banorët e zonave të varfra. Marianne Graf dhe familja e saj të cilët i kanë shpallur luftë varfërisë në vendin tonë krahas kontributit të tyre financiar kërkojnë gjithnjë tek bamirësit austriak për Shqipërinë,duke u lutur se një ditë edhe këtu ne vendin tonë gjerat do të ishin më mirë nga sa janë, kryesisht në gjendjen social ekonomik dhe shërbimin publik, çfarë do i bënte shqiptarët të jetonin si evropian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: