Në studion e emisionit “Open” në News24 ditën e sotme, temë kryesore ka qenë situata në Kosovë dhe marrëdhëniet e krisura mes liderëve Edi Rama dhe Albin Kurti.

Analisti Fatos Lubonja përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë është shprehur se pozicioni i Ramës ka qenë krah ndërkombëtarëve, gjë që sipas tij e ka bërë për interesa personale.

Lubonja u shpreh se Rama është bërë me “të padrejtën” dhe se po të ishte për interesat e shqiptarëve ai do pozicionohej më pranë Kurtit.

Nga ana tjetër drejtori i Neës24, Robert Rakipllari është shprehur se në krizën që po përjeton Kosova momentalisht, “e drejta është me të fortin”, duke iu referuar ndërkombëtarëve.

Sipas tij Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është vonuar tejmase, pasi ka qenë pjesë e pakos së Ahtisaarit gjatë ndërtimit të shtetit.

Ai shtoi se në këtë rast Rama kërkon atë që kërkojnë ndërkombëtarët dhe se Albin Kurti po ruan një pozicion të ngurtë ku nuk pranon të negociojë me askënd.

Pjesë nga biseda:

Lubonja:

Pozicioni i Ramës është i qartë, ai pozicionohet krah ndërkombëtarëve. Rama këtu është bërë me të padrejtën për interesat e tij. Po të ishte për interesat e shqiptarëve do ishte më pranë Kurtit. Asociacioni ka qenë problem i hapur. Rama nëse do kishte interesin e shqiptarëve do e trajtonte këtë çështje me Vuçiçin dhe Kurtin. Rama nxitoi të bëjë një draft-asociacion për të kënaqur interesat perëndimore. Do të jetë i vetmi mediator i ndërkombëtarëve në Ballkan. Këtu është një lojë pushteti.

Rakipllari:

Në këtë krizë që është Kosova, e drejta është me të fortin. Problemi qëndron në dy kënde. Asociacioni i komunave është pjesë e pakos së Ahtisaarit dhe është vonuar tejmase. Shteti është ndërtuar në disa shtylla dhe Asociacioni është pjesë e këtyre kushteve. Në këtë aspekt është vonuar tejmase. Kurti e ka ngritur partinë e vetë mbi këtë ide. Kurti është kundër në parim.

Kur një politikan vjen në pushtet pavarësisht atyre që ka thënë është negociator. Nëse Kurti do negocionte për të kërkuar një draft në interes të shqiptarëve, por kemi vetëm një pozicion të ngurtë që nuk pranon asgjë dhe flet vetëm për sovranitetin e Kosovës. Në këtë moment ajo që kërkon Rama është ajo që kërkojnë ndërkombëtarët. Një Ramë që bëhet si Albin Kurti nuk u thotë asgjë ndërkombëtarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb