TIRANË

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ngre shqetësimin për klimën, frymën dhe nxitimin në të cilën po tentohet të zhvillohet procesi konsultativ në lidhje me Projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”.

Drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria thotë se procesi i konsultimit të projektligjit zgjati 6 muaj, por në përfundim të tij nuk rezulton të prezantohet drafti i dakordësuar dhe për këtë arsye kërkohet më tepër kohë për konsultimin. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme në takimin përmbyllës për konsultimet e projektligjit nga Ministria e Drejtësisë nuk është paraqitur drafti me ndryshimet e propozuara nga NAREA.

NAREA ngre shqetësimin se gjatë ditës së djeshme, në përfundim të orarit zyrtar, janë njoftuar për një takim përmbyllës konsultativ ditën e premte, datë 5 nëntor 2021, duke lënë kështu në dispozicion, për të konsultuar paraprakisht një Projektligj kaq tërëndësishëm për ne, vetëm 1 ditë pune.

“Marrë në konsideratë këtë, e bën të pamundur dhënien e një kontributi ndërtues nga komuniteti i biznesit të NAREA. Si NAREA shprehim jo vetëm shqetësimin tonë por dhe kërkesën ndaj Ministrisë së Drejtësisë,si institucion ligj hartues, që të marrë në konsideratë krijimin e hapësirës kohore të nevojshme, duke mos nxituar të përmbyll Konsultimin dhe vetë Projektligjin në fjalë, për të ndërtuar bashkërisht një Ligj të qëndrueshëm në kohë dhe që i shërben të gjithë aktorëve në këtë proces.” thuhet në shkresë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: