Nga: Klodjana Haxhiaj

DURRËS- Drama “Askushi”, e autorit Bashkim Hoxha, në 10 nëntor do të ketë premierën e saj në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kasta e aktorëve të mrekullueshëm është në provat finale, ndërsa autori Bashkim Hoxha këtë radhë vjen edhe me rolin e regjisorit të dramës.

Për vënien në skenë të dramës janë kapërcyer vështirësi të shumta, por vepra ka ardhur e realizuar mjeshtërisht nga një kastë e shkëlqyer aktorësh profesionistë, që kanë punuar për rreth 2 muaj.
Para provës gjenerale, aktorët kanë falur mjaft emocione. Subjekti i dramës të ngërthen deri në fund të saj. Emrat e personazheve janë marrë nga mitologjia greke, Penelopa, Ulisi, Antinoi, Kalipso, Eurimaku, por subjekti është aktual, ai i transformimit të njerëzve, të cilët braktisin idealet dhe të korruptuar nga pushteti, nuk njohin asgjë përveç interesave personale të tyre, duke braktisur miqtë, shoqërinë e gjithçka.

Asistent regjisori Elios Ibro thotë se mesazhi që përcjell drama e dramaturgut Bashkim Hoxha është ai i transformimit të njeriut, i cili harron idealet e vërteta. “Ata kanë qenë tre shokë në luftë të cilët luftuan për çlirimin e atdheut: Antinoi, Ulisi dhe Eurimaku. Ishin me ideale të mëdha për vendin. Në luftë ‘vritet’ Antinoi, trupi i të cilit nuk u gjet kurrë. Antinoi u shpëtua nga një trupë cirku e cila kalonte me shpejtësi në atë vend gjatë luftës. Pas 7 vjetësh ai rikthehet, por rikthimi i tij prish të gjitha balancat e jetës në qytet. Antinoi paraqitet si “Askushi” në kërkim të vetvetes, të jetës e të shokëve të dikurshëm të rinisë.

E dashura e tij Penelopa, roli i së cilës luhet nga Eralda Çaushi, e ka pritur si Penelopa Odisenë, por Penelopa këtë radhë është një biznesmene e mbështetur nga politikani kandidat për president, Ulisi. Penelopa është transformuar në një tjetër njeri, ashtu sikundër edhe shokët e tij. Ulisi është kthyer në një politikan grykës, ndërsa Eurimaku është arratisur në një fshat të largët e merret me bujqësi, për të mos u ndotur nga pisllëku i pushtetit.

“Është një punë e madhe, me një impenjim të madh që kanë bërë të gjithë aktorët dhe i gjithë stafi. Në këtë shfaqje nuk ka ndarje të kategorisë së roleve i parë apo i dytë. Të gjitha rolet kanë ngarkesë të plotë”, – thotë asistent regjisori Ibraj.

Pas 5 vjetësh, aktori Marvin Tafaj rikthehet në teatrin “Aleksandër Moisiu” me rolin e politikanit të korruptuar Antinoi, Eralda Çaushi në rolin e Penelopës, Besmir Bitraku me rolin e Ulisit, Mimoza Marjanaku me rolin e Kalipsosë, Xheni Fama me Eurimakun, Gjergj Doci me drejtuesin e Cirkut, Edmond Halili, Dashamir Sinani, Muharrem Asllani e Anxhelo Jaupi, vijnë në rolet e klounëve. Është një ansambël i vërtetë ngjyrash e skenash, që të mban frymën pezull gjatë gjithë shfaqjes nga skena në skenë.

“Ju vërtet mendoni se mund të vijë dhe të shfaqet ‘Askushi’??? A mund të ketë trajta dhe tipare një njeri me emrin ‘Askushi’? Askushi është ajër… Edhe është, edhe nuk është”, – thotë Mimoza Marjanaku.
Në staf mbështetës i madh është pas kuintave. Në rolin e as/regjisorit vjen Elios Ibro, imazhi kurohet nga Indrit Domi e Besmir Domi, formulimi muzikor nga Julian Shyti, koreografia nga Arian Plaku, kostumografia nga Lira Zahiri, grimi nga Edison Balkla, inspektor skene është Elio Bajramaj, ndriçimi nga Kreshnik Bregu e Arjan Jaupi. Qytetarët e artdashësit durrsakë kanë treguar interes të madh për këtë dramë, madje për shfaqjen e parë në datën 10 nëntor, kur do të jetë edhe premiera e “Askushit”, me autor Bashkim Hoxhën, nuk ka mbetur më asnjë biletë në shitje. Qytetarët kanë mundësi që ta ndjekin në tri netët pasardhëse. Drama “Askushi”, e shkruar në mënyrë brilante, fitoi çmimin e parë në konkursin mbarëkombëtar të dramaturgjisë shqiptare në Prishtinë, dhe fitoi të drejtën automatikisht për t’u vënë në skenë në teatrin kombëtar të Kosovës. Për këtë dramë autori ka punuar intensivisht për një periudhë 2-vjeçare. Ai ka në proces edhe disa vepra të tjera letrare. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: