Nga: ENVER DOCI*
BURREL- Varfëria dhe sëmundja ka pushtuar shtëpinë e familjes Dedja në qytetin e Burrelit ku e vetmja e ardhur është ndihma ekonomike prej 36 mije lekësh të vjetra në muaj.
Këto janë kushtet në të cilat jeton familja Dedja e përbërë prej 6 antarësh. Mbijetesa nuk është asgjë më shumë se bukë e kripë.

Vajza që rri dergjur në shtrat është vetëm 22 vjeç. Mineja është nëna e një foshnje, i cili do të rritet me të ëmën gjysmë të paralizuar dhe pa baba, pasi ky i fundit e braktisi familjen kur Minesë i ra trombozë në tru tre javë pas lindjes. Që nga dita që u shtrua e spital, i shoqi nuk u interesua më për fatin e saj. Vajza me fëmijën u transferua tek shtëpia e prindërve.
Në këtë familje askush nuk punon, lekët e ndihmës ekonomike nuk i sigurojnë familjes bukën e përditshme për tre vakte, shërben vetëm për të blerë qumshtin për foshnjen pasi e ema nuk e ushqen dot.

“Kërkoj ndihmë prej shtetit të më ndihmojë, për vetë dhe çunin. E ushqej me qumësht lope tani, pasi jam sëmurë. Kam qejf ta mbaj në krahë, ti përkushtohem, por jam sëmurë, nuk mundem”, rrëfen e reja.

Edhe pse invalide Mine Taka nuk merr asnjë pension invaliditeti. Lekët e ndihmës ekonomike i dalin vetëm për të siguruar pak medikamente. Ka plotësuar vazhdimisht dokumente, por më kot.

“Nuk kemi marrë ende asgjë, asnjë lloj pensioni”, thotë nëna e saj.

Vjollca Dedja është ajo që ka në ngarkim të bijën, e ndihmon të vishet, të hajë, kujdeset për foshnjen. E vetmja gjë që kërkon është që dikush ti ndihmojë, një bebe tre muajshe nuk mund të jetojë në një ambient që s’mban jashtë as shiun, as të ftohtin, as borën. Vjollca me tonin e një njeriu që kërkon sa mëshirë dhe drejtësi apelon për ndihmë.

Për të ndihmuar mund të kontaktoni në numrin e celularit 0685942867 (Agim Dedja Kryefamiljar)

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: