TIRANË- Një histori e dhimbshme ka ardhur sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24. Një 57-vjeçare ka rrëfyer kalvarin e saj të vuajtjeve.

Festime Halili një gjyshe me probleme të shumta shëndetësore dhe mbi të gjitha e verbër po rrit e vetme në kushte të vështira ekonomike stërnipin e saj të vogël 1-vjeçar, Arbenin.

Festimja u martua në moshën 15-vjeçare dhe solli në jetë dy fëmijë. Pas disa vitesh, në moshë fare të re ajo humb nga kjo jetë bashkëshortin e saj nga një infarkt, por fatkeqësitë nuk do të mbaronin këtu për këtë nënë. Në vitin e mbrapsht të 1997 asaj, një dore e pabesë i vret djalin e vetëm Arbenin, ndërsa mbronte makinën e tij nga grabitësit.

Kjo nënë e veshur me të zeza e lidhi jetën vetëm me vajzën që i kishte ngelur Amarildën, të cilën do ta humbte dhe atë shumë shpejt shpirtërisht.

Amarilda martohet dhe sjell në jetë vajzën Robertën por jeta kishte rezervuar për Amarildën surpriza të pakëndshme dhe ajo humb bashkëshortin dhe vajzën e saj të vogël ia lë nënës për ta rritur.

Festimja e rrit me shumë dashuri mbesën Robertën edhe pse nëna e saj nuk u bë e gjallë. Kur mbesa ishte në klasë të tretë, nëna e kërkoi ta merrte, por vajza nuk pranoi të shkonte me Amarildën. Këtu nisin konfliktet nënë e bijë të cilat tashmë janë ndarë përjetë..

Gjyshja me shumë sakrifica e dërgon mbesën në universitet në Tiranë. Mbesa, Roberta dashurohet me një djalë dhe ngelet shtatzënë parpara dy vitesh. Fëmija i gjinisë mashkullore vjen në jetë dhe gjyshja me mbesën vendosin ta quajnë Arben që emri i dajës ta ndiqte kudo këtë fëmijë të vogël, të ishte një bekim për foshnjën.

Babai biologjik nuk e njohu djalin dhe nëna me gjithë foshnjën jetonte tek gjyshja Festimja në kushte të vështira ekonomike.

Nëna e djalit të sapolindur vendosë të emigrojë drejt Austrisë dhe foshnjën ia lë gjyshes së saj për t’u kujdesur.

Ironia e fatit po e ndiqte sërish gjyshe Festimen, rriti mbesën pasi u braktis nga nëna, tashmë po rrit djalin e mbesës.

Arbeni ishte tre muajsh kur u nda me nënën e tij, e cila sapo mbërriti në Austri telefonoi gjyshen se kishte mbërritur shëndosh e mirë. Por kjo ishte dhe telefonata e parë dhe fundit. Gjyshe Festimja nuk ka asnjë lajm më për mbesën e saj Robertën. Kanë kaluar 9 muaj dhe ajo pret çdo ditë që telefoni të bjerë.

Sot kjo gjyshe pothuajse e verbër po rrit stërnipin e saj 1-vjeçar Arbenin, që mban emrin e djalit të saj.

Ajo nuk ka as rroba ta veshë, as qumësht t’i japë. Po e rrit këtë foshnjë me ushqimet që i çojnë çdo ditë fqinjët e saj. Banesa ku jeton kjo gjyshe me këtë fëmijë është me qira dhe i zoti i shtëpisë do e nxjerrë jashtë pasi nuk janë paguar tre muajt e fundit.

Ajo i kërkon mbesës ta telefonojë. “T’i dëgjoj zërin që është mirë me shëndet dhe do bëj gjithçka për ta rritur djalin e vogël. Ëngjellin e saj që mban emrin Arben”, thotë ajo mes lotësh.

GAZETARI
Gazetari i News24 Enrik Mehmeti e ka ndjekur rastin e gruas dhe e ka sjellë 57-vjeçaren deri në studion e emisionit “Me zemër të hapur”. Ai thotë se gjyshja bashkë me nipin është në kushte ekstreme të varfërisë. Ka dhjetëra nevoja, por ajo që është më emergjente është një ndërhyrje kirurgjikale për kthimin e shikimit. “Ajo vuan nga diabeti. Mbrëmë në darkë e kemi gjetur duke ngrënë bukë thatë. U përpoqëm t’i jepnim ndonjë gjë sa kishim. Por gjendja e tyre është shumë e vështirë. Ajo ka nevojë urgjente për ndihmë, së pari për të bërë operacionin për kthimin e shikimit. Rrugës nga erdhëm nga Vlora, djali pati probleme shëndetësore por fatmirësisht i kaloi”, tregoi Mehmeti.

Ai tha se gjyshja nuk ka pranuar ta çojë djalin në jetimore. “Vetëm kur të vdes unë mund ta çojnë. Sa të jem gjallë unë jo”, u ka thënë Festimja.

Festime kjo histori e braktisjes është përsëritur në familjen tëndë. Vajza braktisi mbesën dhe tani mbesa të ka lënë djalin prej sa muajsh?
Prej 9 muajsh.

Festime ju keni kaluar shumë drama në jetë, edhe babain e keni humbur në moshë të vogël?
Nuk e kam njohur babain, nuk e mbaj mend. Ishim 5 fëmijë por nëna na është përkushtuar dhe nuk na ka munguar asgjë. 15 vjeç u martova.

Ju keni humbur dhe djalin?
Të kisha vdekur edhe unë në ato momente do ishte më mirë.

Ti kishe Arbenin dhe vajzën?
Dy fëmijë të mirë të dy. Mësonin. Djalin e morën ca kushërinj të mi në Itali, punonte e na mbante mua me gjithë vajzën. Bleu një makinë. Në 97 do vinte në Shqipëri se unë isha e sëmurë. I dolën para, makinën e vjedhin e djalin e vrarë. Ishte 23 vjeç. Ishte djalë i mirë, por nuk e pata fat. Unë qaja, ai më thoshte fshiji sytë, nuk do iki. Vajza ka qenë e lidhur shumë me babain, djali me mua.

Ke humbur vajzën në aspektin shpirtëror…
Vajza u martua në 96-ën. Në 97-ën ia vranë burrin, kur ishte 8 muajsh shtatzënë, 17 vjeçe. Pas djalit vranë dhëndrin, në krye të një jave. E kemi rritur bashkë vajzën deri 4-5 vjeçe. Pastaj iku në Itali, e mori kunata për t’u kujdesur për dy pleq.

Vajza atje njohu një djalë dhe ka bërë edhe një vajzë me të.

Kur është rikthyer vajza?
Nuk është rikthyer fare.

Kur ta kërkoi vajzën?
Kur Roberta ishte në klasë të tretë. Më tha dua vajzën, i thashë nuk ta jap. Më çoi në polici. E çoi vajza nënën në polici. U mblodhën të gjithë, erdhi drejtori i policisë. E mori në prehër dhe i tha, me kë do të rrish, me nënën apo me mamin? Vajza ishte e shkathët. I tha drejtorit po më çuat me atë, për të ëmën, unë do pi helm, kur të dëgjosh që një vajzë e vogël ka vrarë veten. ‘Uuu’- tha drejtori, ‘ik me gjyshen’, vajzës i tha merre të voglën dhe ik.

Si ka qenë Roberta?
Ka qenë vajzë e dëgjuar, e shkathët.

Mbaroj shkollën e mesme?
Po e mbaroj. Ka qenë me 10. Ajo dashuroj një djalë në fund të shkollës. Ngeli shtatzënë, por u ndanë. Unë i thash hiqe. Por ajo tha: Nënë jo. Unë jam penduar, se shyqyr që e kam. Kur lindi Berti, unë sikur rilinda, sikur mu kthye djali.

Roberta nuk komunikon me djalin?
Jo jo nuk flet prej 9 muajsh. As babai i fëmijës.

Djali mbushi një vjeç dhe ajo nuk telefonoi?
Jo jo nuk telefonoi.

Si ndiheni?
Nuk ndihem mirë, por…

Çfarë mendon ti? Ku mund të jetë Roberta?
I trembem çdo gjëje. Ca nuk kemi dëgjuar.

Ke frikë mos ka rënë pre e trafikimit?
Po kam frikë.

Çfarë i thoni Robertës?
Vec të më telefonoj, asgjë nuk dua tjetër.

Çfarë ndodhi para katër ditësh??
Më vjen një gjiton në shtëpi. Dhe i bën djalit një foto. Ku e dija unë ca do bënte dhe ia ka çuar vajzës.

AMARILDA
Vajza e Festimes Amarilda ka krijuar familje dhe ndodhet në Itali. Në emision, Festimja i kërkoi falje të bijës pasi ka bërë shumë gabime ndaj saj dhe për ndarjen me të bijën, Robertën. Nga ana tjetër edhe Amarilda e ka pranuar ndjesën nga nëna e saj.

Nëna juaj ju kërkoi falje për ashpërsinë dhe se si është sjellë me ju, e pranon faljen?
Nuk ka qenë vetëm ashpërsia. Kanë qenë shumë gabime njëra-pas tjetrës që nuk mund të falen. Unë e kuptoj, por atë falje duhet ta kishte kërkuar kohë më parë. Unë u shkatërrova si mendërisht dhe ekonomikisht nga gabimet e mamasë.

Ti e di që Roberta është larguar?
Mua më thotë nuk është e vërtetë. Pak më parë e mora i thashë i ke në emision. Jo tha nuk i kam braktisur. E di ti si është gjyshja. Mua më thotë gjëra të tjera. Unë e ndihmoj ekonomikisht, djalit tim nuk i mungon asgjë.

Deri në momentin që jam kujdesur unë si për nënën dhe vajzën time, a ju ka munguar ndonjë gjë?
Festimja: Jo nuk ka munguar asgjë. Më ke mbajtur si djalë jo si çupë.
Amarilda: I kam sjellë edhe ilaçet të gjitha. Ja kam blerë dhe ja kam sjellë.

A je gati ta falësh ti nënën tënde?
Po, mendoj se po.

Festime si ndihesh?
Nuk ndihem mirë. E dua shumë, më ka marrë malli edhe për Nikolën, e shikoj gjithmonë në ëndërr.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb