Këto nuk janë pamje që i përkasin pasojave të tërmetit në Korçë, por të një shtëpie përdhese në fshatin Pezë Helmës, vetëm 5 kilometra larg Tiranës.

Shtëpia e vjetër e ndërtuar me gurë dhe qerpiç mezi mbahet në këmbë, aq sa të krijon idenë se nga momenti në moment do të shëmbet.

Nën të qëndron i shtrirë i zoti i shtëpisë, i paralizuar prej 17 vitesh dhe bashkëshortja e tij që i shërben tek koka si të jetë një fëmijë.

Burrë e grua nuk i kanë mbushur 55 vjecç por ngjajnë sikur të kenë 70 vite mbi kurriz, një dëshmi e gjallë e vuajtjeve që kanë hequr e po heqin sa nga sëmundjet e sa nga varfëria ulëritse. Kryefamiljari është i paaftë për punë por pavarësisht këtij fakti nuk trajtohet me kemp.

Familja ka tre djem, 25, 27 dhe 30 vjeç, ku vetëm dy janë të aftë për punë ndërsa djali i mesit vuan nga probleme të rënda mendore.

Dy djemtë e tjerë të ndarë nga trungu familjar punojnë me ditë. Kur gjejnë punë paratë i përdorin për të blerë ilaçet e babait të sëmurë, ndërsa ç’mbetet shkon për ushqim, i cili nuk mjafton asnjëhere.

Ato pak ushqime në frigoriferin që përdoriret si dollap janë të falura nga komshinjtë ose Kryqi i Kuq.

Ndërsa qan me dënesë gjatë gjithë kohës nënë Bedria përmend kalvarin e vuajtjeve në dyert e qeverisjes vendore prej ku thotë se ka marrë vetëm fjalë të bukuara.

Dhe me gjithë varfërinë dhe hallet e mëdha që i kanë rënë në kokë e zonja e shtëpisë nuk i lë dritat pa paguar. Siç e merr atë pagesë të vogël nga njësia administrative e çon tek sporteli i OSHEE.
Ne nuk e lamë me kaq por iu drejtuam njësisë administrative Pezë ku takuam kryeadministratorin, z Besmir Kola.

Kreu i kësaj njësie pohon se e njeh mirë situatën e vështirë në familjen Mema por deklaron se financat janë të pamjaftueshme ndaj i është drejtuar Bashkisë së madhe për ndihmë.

Gjatë bisedës administratori deklaron se ka siguruar përmes disa donacioneve 30% të lëndës së parë për rindërtimin e shtëpisë së familjes Mema, porse kaq nuk mjafton.

Por deri sa pushteti vendor të gjejë një zgjidhje, e cila zvarritet prej tre vitesh, familjes Mema si mbetet veçse t’i lutet zotit.

Për këdo që kërkon të kontribuojë për familjen e Bedrie Memës në Pezë, numri i kontaktit: 069 899 7522

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb