Me mundim tërheq zvarrë këmbën e majtë rrugicave të Spitalit të traumës pasi gjuri ka vite që i është deformuar nga gjakderdhjet dhe rrezikon në çdo moment të thyhet nga pesha. E quajnë Fitim Allçiu dhe vuan nga hemofilia e tipit B i diagnostikuar që prej moshës 1-vjeçare.

I sëmuri është 44 vjeç por fytyra e tij tregon shumë me e mplakur për shkak të sëmundjes që vazhdimisht i shkakton hemorragji të brendshme dhe në kyçe që vjen nga mungesa e elementit të mpiksjes së gjakut.

Sëmundja kërcënon ta gozhdojë në karrigen me rrota për pjesën e mbetur të jetës dhe zgjidhja e vetme për mjekët mbetet vendosja e një proteze në gjurin e majtë. Por proteza në privat është e shtrenjtë për xhepin e një invalidi që jeton me 10 mijë lekë të reja në muaj, ndaj dhe Fitimi thotë se i është drejtuar spitalit të traumës në Tiranë për të përfituar falas një protezë ortopedike të gjurit por edhe aty i kanë thënë se i duhet të pres për një periudhë të pacaktuar pasi protezat e blera në fillim të vitit janë mbaruar.

“Doktori më thotë se e merr përsipër si operacion por unë dua kushtet, protezat që mos mbetesh në sallë”, shprehet 44-vjeçari.

Në bisedë me drejtues të spitalit të traumës mësojmë se numri i kërkesave që janë në listë pritje është shumë i madh dhe i papërballueshëm me financimin aktual dhe se për këtë arsye i është kërkuar qeverisë të alokohen më shumë fonde për proteza ortopedike për vitin 2019.
“Mjekët më kanë futur në listë pritje për protezën. Jam i 708. Mjekët më thanë se nuk ka proteza, thonë se nëse ka proteza mund ta bëjmë operacionin menjëherë”.

Por Fitim Allçiu nuk ka kohë për të humbur dhe për të pritur radhën pasi në rastin më të mirë do të duheshin disa vjet që listëpritja të mbërrij tek emri i tij ndërsa këmba e të sëmurit nuk pret dhe sipas mjekëve të traumës duhet operuar sa më parë për të mos humbur funksionin.
“Rrezikoj të mbeten invalid, të marr karrocën. Invalid do mbetem”, thotë ai.

Fitimi qëndron ende në këmbë falë një ndërhyrje eksperimentale të cilës i është nënshtruar disa vite më parë në një spital të Milanos. Por këtë herë askush nuk i ka shtrirë dorën për ndihmë dhe nëse zë shtratin kjo do ta mbajë larg QSUT ku është i detyruar të vijë disa herë në muaj nga Dibra me autobus për të tërhequr ilaçin e jetës, faktorin 9.

E si të mos mjaftojnë problemet fizike dhuratë nga sëmundja e rëndë që e bashkëshoqëron që prej moshës një vjeçare fitimi rrëfen betejën e tij të gjatë me strukturat shëndetësore në pritje të ilaçit që thotë se shumë herë mungon në spital edhe e me muaj.

“Dy muajt e fundit kam 8 mijë a 10 mijë, që në maj. Duhet te merrja të paktën një herë në javë”, tregon 44-vjeçari.

Muajt e fundit thotë se ka ardhur në tiranë me shpresë se do mund të mblidhte 10 flakon me faktorin 9 që i nevojiten për të hequr dhëmbët e infektuar por nga QSUT në çdo rast i është ofruar një dozë e përgjysmuar.

“Vijmë këtu marrim gjysmën e ilaçeve. Më duheshin për dhëmbët se më lëvizin. Hemorragjia shkakton vdekje menjëherë”, shprehet ai.

Nga spitali “Nënë Tereza” situata paraqitet shumë më rozë. Në një reagim zyrtar të para disa ditëve QSUT bëri të ditur se faktori 7, 8 dhe 9 është shpërndare dhe vazhdon të shpërndahet rregullisht për pacientët që kanë nevojë për të, sipas përshkrimeve në receta të mjekëve hematologë në QSUT.

Por ndryshe nga spitali vetë i sëmuri këmbëngul për mungesën dhe pamjaftueshmërinë e ilaçit në periudha të gjata kohore për të edhe të sëmurët e tjerë që në shumë raste gjejnë prehje tek kompresat me akull për të ulur ënjtjet.

Në Shqipëri numërohen afër 300 të sëmurë hemofilik të cilët trajtohen me faktor koagulimi 7, 8 dhe 9 që ofrohet falas vetëm nëse pacienti paraqitet me rekomandim në QSUT.

Por rruga disa herë në muaj drejt Tiranës mbart kosto të papërballueshme financiare, e për më tepër kur i sëmuri detyrohet të zërë hotel në tiranë në pritje të medikamentit.

“Tre ditë vetëm hoteli ka bërë 15 mijë lekë nata. Ushqimi, 80 mijë lekë ka shkuar. Unë marr 100 mijë lekë si pension invalidi”, shpjegon Fitimi.

Me një zë të vuajtur Fitimi kujton momentet më të vështira në jetën e tij kur e ka parë veten në fije të perit, ndërsa pranë i qëndronte i vetmi person i afërt nëna e moshuar me të cilën jeton.

“Kam kaluar hemorragji cerebrali. Me ambulanca kam ardhur në Tiranë, një muaj kam ndenjur në spital”, tregon 44-vjeçari.

Fitimi thotë se ka një lutje të vetme për shtetin lutje që e bën edhe në emër të të sëmurëve të tjerë me hemofili, të paktën medikamentin e jetës tua shpërndajë në qytetin ku jetojnë pasi sorollatjet pa fund, pa përmendur të tjerat, po ua shkurtojnë jetën para kohe.

“I bëj thirrje shtetit të na llogarisin edhe ne. Unë e dua ilaçin atje ku banoj, të mos më thotë ilaçi është falas, kur unë paguaj ilaçi nuk është më falas. Ilaçin unë e dua atë mjeku i familjes. Pse të lodhem deri në Tiranë. Një goditje të pësoj unë tani mund të rezultojë fatale”, shprehet ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb