Prej dy vitesh nuk ka mundur të shlyejë asnjë pagesë mujore të qerasë dhe për pasojë pas dy javësh e pret dëbimi me force nga shtëpia ku është strehuar, pasi i zoti i banesës ka vendosur të mos tolerojë më. I njëjti fat i keq do të rëndojë edhe mbi dy fëmijët e saj autikë, 15 dhe 17 vjeç, që më shumë se kurrë kanë nevojë për një përkujdesje speciale.
Shtëpia ku prej 18 vitesh jeton familja Ballabani është një ngrehinë e vjetër dhe e amortizuar në zonën e Selitës, për të cilën familja me 4 anëtarë duhet t’i paguajë pronarit 60 mijë lekë të reja në vit, mesatarisht 5 mijë lekë të reja në muaj.
Por të ardhurat mujore të familjes janë shumë të pakta. I gjithë kapitali i saj janë dy kempet e fëmijëve të sëmurë dhe një pension minimal i bashkëshortit prej 7 mijë lekë të reja në muaj, që siç thotë dhe vetë nuk dalin as për bukë.
Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë që nga fëmijëria, në moshën 35-vjeçare Majlinda vendosi të lidhë kurorë me një burrë 17 vite më të madh se vetja, që sot është një moshuar 71-vjeçar, që s’ka më forcë për të punuar. Nga martesa e vonuar erdhën në jetë dy fëmijët autikë, ku më i vogli, edhe pse i ka mbushur 15 vjeç, nuk ka qenë asnjë ditë në shkollë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore me kriza të shpeshta, që siç thotë e ëma, shoqërohen me episode epileptike.
Me sytë plot brengë e lot, sa nga fati i keq dhe mjerimi që e ka kapluar, e zonja e shtëpisë shikon nga qielli dhe lutet për fëmijët e sëmurë, duke e ditur se ç’fat i pret pas dy javësh.
Nëna thotë se nuk i kërkon asgjë tjetër Zotit, veçse një strehë të vogël mbi kokë për dy fëmijët e pamundur, nga e cila të mos i nxjerrë askush.
Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë familjen e varfër nr i kontaktit është 0684805923 Majlinda Ballabani.
(BalkanWeb)