Më 29 korrik njerëzimi hedh hapin tej një pragu alarmues. Kjo datë shënon ditën e shterimit të resurseve të Tokës, pikëkthesën kur për çdo vit fillojmë t’i konsumojë burimet natyrore në raport të zhdrejtë me aftësinë e tyre për t’u ripërtërirë.

Bëni llogaritë: vetëm për 209 ditë të vitit kemi konsumuar burimet e një viti të plotë, duke variuar nga ushqimi e deri tek lënda drusore. Ne po e përdorim natyrën 1,75 herë më shpejt sesa ajo është në gjendje të ripërmbushet. Këto shifra vijnë nga “Global Footprint Network”, një organizatë jofitimprurëse ndërkombëtare që llogarit buxhetin tonë vjetor ekologjik dhe datën në të cilën ne e tejkalojmë atë. Me të superuar këtë buxhet, ne fillojmë të “gllabërojmë” burime me një normë të paqëndrueshme.

“Është një skemë piramidale. Kjo varet nga përdorimi, gjithnjë e më shumë nga e ardhmja që do t’i duhe të paguajë për të tashmen”, thotë Mathis Wackernagel, themelues i organizatës.

Ngjashëm me borxhin financiar, por ca më keq. “Nuk ka asgjë për të rritur ekonominë nëse i shfrytëzojmë burimet tona”, shton ai, “sepse çdo aktivitet ekonomik varet nga kapitali natyror dhe pa atë nuk mund të mëkëmbet.”

Barra e këtij borxhi ekologjik po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Ne filluam të mbikonsumojmë burimet natyrore që në vitet ‘70, dhe që prej atëherë trendi ka vijuar me progresion aritmetik, Gjatë 20 vjetëve të fundit, “Dita e Mbishfrytëzimit të Tokës”, është afruar 2 muaj në kohë. Dhe këtë vit, përkon me datën më të afërt në histori.

Pyjet janë prerë në një shkallë alarmante për të siguruar drunj dhe tokë të pastër për bujqësinë. Ne jemi duke mbishfrytëzuar burimet ujore në shërbim të industrisë dhe të bujqësisë, dhe për të siguruar ujë të pijshëm për qytetetet gjithnjë në zgjerim. Për më tepër, varësia jonë ndaj lëndëve djegëse do të thotë që po prodhojmë emisione të karbonit në nivele që do të na shtyjnë më tej në rritjen e rrezikshme të temperaturës.

Ashtu sikurse me borxhin financiar, ne na mbetet veçse t’i shmangim pasojat. Ndikimi tashmë po bëhet i frikshëm. Zjarret janë më të shpeshta dhe më shkatërruese. Qytetet anembanë botës, nga Cape Town deri në Chennai, po arrijnë fundin e furnizimeve me ujë dhe një raport i rëndësishëm i Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin i publikuar në maj, paralajmëronte se deri në 1 milion specie, mund të zhduken pë rrjedhojë e dërrmës me autorësinë e racës njerëzorë.

Sërish sipas “Global Footprint Network”, ndërsa pasojat kanë gjasa të ndikojnë më shumë në vendet më të varfëra, janë popullatat e vendeve më të pasura që jetojnë përtej mundësive të tyre. Nëse të gjithë do të jetonin si njerëzit në Shtetet e Bashkuara, përllogaritet se do të kishim nevojë për pesë toka. Nga ana tjetër, nëse ne të gjithë konsumonim burime me të njëjtin ritëm si njerëzit në Indi, do të duheshin vetëm 7/10 e një planeti për të përmbushur kërkesat tona.

Është një situatë e dalë jashtë kontrollit dhe që nuk do të vazhdojë pafundësisht, vëren me shqetësim Wackernagel. Sido që të ndalet, me fatkeqësi ose me një mirëmenaxhim, është në dorën tonë.

Wackernagel fajëson mosveprimin aktual dhe dështimin e politikanëve dhe ekonomistëve për të kuptuar se ekonomia varet dhe është e lidhur pazgjidhshmërisht me burimet natyrore. Në vend të kësaj, tendenca është trajtimi i konsideratave mjedisore si sekondare, pavarësisht se sa thelbësore janë për aftësinë e ekonomisë për të mbijetuar. Por, kostot e injorimit të tyre do të jenë të mëdha, parashikon Wackernagel.

“Për sa kohë që, për shembull, në Shtetet e Bashkuara, qeveria e Trump nuk mendon se aksioni për klimën është një investim i madh, ata do të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur temën”, thotë ai.

“Global Footprint Network” ka nisur një fushatë për t’i dhënë fund Ditës së Mbishfrytëzimit të Tokës, duke synuar ruajtjen e burimeve të mjaftueshme për të zhvendosur këtë “datë përkujtimore” me 5 ditë për çdo vit – kështu që deri në vitin 2050 mund të jetojmë duke u mjaftuar me burimet e planetit tonë.

Organizata ka identifikuar disa fusha në të cilat ne mund të zvogëlojmë konsumin: dizajn më efikas dhe me nivel të ulët të karbonit; duke u larguar nga lëndët djegëse, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të gjurmës sonë zor të riparueshme dhe mbrojtjen e natyrës përmes bujqësisë rigjeneruese.

Mbipopullimi është gjithashtu një pike kyçe disavantazhi, thekson Wackernagel, duke shtuar se një nga zgjidhjet më të mira është ofrimi i të njëjtave mundësive ekonomike dhe për t’u arsimuar grave dhe vajzave, barabar me meshkujt.

“Nuk është për sakrificë,” sqaron Wackernagel. “Gjithçka ka të bëjë me investimin në një të ardhme ku brezi ynë i ardhshëm, fëmijët tanë, mund të lulëzojnë. Ka shumë zgjidhje të mundshme me ndikim shumë të lartë. Përsëri, pyetja është, a duam ne?”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Marrë nga Huffington Post
Përshtati ©LAPSI.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: