Kush e ka kontrollin për Brexit? Qeveria apo parlamenti në Londër? Vendi ka hyrë në një qorrsokak, nuk po arrihet dot asnjë mazhorancë për ndonjërën nga format e Brexit. Tani deputetët duan të marrin një vendim.

Një luftë pushteti e paparë. Dhoma e Ulët ndërmerr përpjekjen për t’ia marrë qeverisë kontrollin për hapat e tjerë në lidhje me Brexit. Tradicionalisht në sistemin britanik qeveria ka përparësi dhe parlamenti vetëm të drejtën për të thënë Po ose Jo për vendimet e saj. Por duket se rregullat e njohura nuk po funksionojnë më, sepse “speaker” – kryetari i parlamentit të martën nga një seri draftesh të paraqitura nga deputetët do të zgjedhë ato që ai do t’i lejojë për debat dhe në fund për votim. Nëse përpjekja “puçiste” funksionon, atëherë Dhoma e Ulët mund të gjejë vetë një rrugëdalje nga kriza e Brexitit.

Jo Brexit i ashpër dhe as zgjatje e afatit

Një draft i deputetes laburiste, Yvette Cooper ka shanset më të mira të pranohet e ndoshta të arrijë një mazhorancë përtej partiake. Synimi kryesor: të pengohet një Brexit i ashpër pa marrëveshje me BE përmes një vendimi të parlamentit. Ky propozim do të mundësonte që qeveria të kishte kohë deri në fund të shkurtit të gjente një zgjidhje kompromisi me BE që do të kalonte në parlament. Në rast se kjo nuk funksionon, atëherë ajo duhet t’i drejtohet BE me një kërkesë për shtyrje deri në verë. Për këtë Londra duhet të jepte një arsye të fortë – kjo mund të ishte ose një referendum i ri ose zgjedhje të reja.

Ky propozim do të kishte efekt detyrues për Theresa Mayn, sepse në fund do të duhet të merrte formën ligjore. Plani i Cooperit ka mbështetje të gjerë nga partia laburiste, megjithëse kreu i partisë, Jeremy Corbin nuk është shprehur hapur për të. Edhe pjesa tjetër e opozitës e pjesë të partisë konservatore do ta mbështesnin këtë draft, sepse ato duan të pengojnë që Britania e Madhe të dalë pa marrëveshje nga BE. Llogaritjet e deritanishme kanë parashikuar një mazhorancë të ngushtë për këtë draft.

Manovër lehtësuese për Theresa May

Ndërsa kryetari i grupit konservator në parlament synon një manovër lehtësuese për Theresa May. Propozimi i Graham Brady është testim i mazhorancave që do të krijoheshin në parlament për rastin e heqjes nga marrëveshja të të ashtuquajturit “backstop” (mekanizmi mbrojtës për moskrijimin e një kufiri të Irlandës me Irlandën e Veriut. Backstop do duhej të ishte i pakufizuar dhe sipas tij, nëse BE e Britania e Madhe në fazën e tranzicionit pas daljes nga BE nuk ia dalin të mbyllin një marrëveshje tregtare, atëherë Britania e Madhe mbetet në unionin doganor të BE dhe Irlanda e Veriut po ashtu në tregun e brendshëm europian. Kështu duhet të pengohen kontrollet kufitare dhe këmbimi i lirë i mallrave. 

Brady vendos “rregullore të tjera” në vend të backstop. Pavarësisht se sa shpesh e thotë BE këto ditë, pra që backstop është pjesë e pandryshueshme e marrëveshjes, dhe se nuk është i kufizuar në kohë e nuk mund të shfuqizohet njëanshëm, rezistenca e Brukselit nuk jep efekt. Sipas disa deputetëve konservatorë, May do të fitonte “fuqi luftuese”, nëse do të shkonte në Bruksel me një mazhorancë të tillë fiktive për një marrëveshje të ndryshuar teorikisht. Ajo mund të thotë, se një Brexit i rregulluar do të varet, nga ajo se sa “fleksibël” është BE në çështjen e Irlandës.

Premton Theresa May atë që nuk e mban dot?

Të hënën në mbrëmjë pati disa sinjale, se kryeministrja vetë me këtë propozim do të dalë para parlamentit edhe njëherë, për të testuar, nëse  e arrin një mazhorancë për një marrëveshje të ndryshuar. Kokëkrisje, sepse May do t’u premtonte deputetëve diçka, që nuk e ka nën kontroll: Heqjen apo shfuqizimin e backstopit irlandez. Konservatorët që duan në Brexit të ashpër e kanë refuzuar May. Ata nuk do ta mbështesin atë në një votim të tillë.

A dihet të mërkurën më shumë?

U duk fillimisht, se parlamenti po e gjen një rrugëdalje nga qorrsokaku i Brexit. Por vazhdimi vetëm me taktika i politikës po pengon gjetjen e një zgjidhjeje. Lidershipi i laburistëve nuk vendos për një kurs të qartë dhe përdridhet mes një mbështetjeje të dobët për Brexit dhe kërkesën e mjaft laburistëve për një referendum të dytë. Kurse konservatorët janë të përçarë si në votimin para dy javëve. Vetë Theresa May i ka bërë rezistencë të gjitha kërkesave për zgjidhje kompromisi dhe një dialogu të vërtetë me opozitën. Ajo vazhdon të veprojë si edhe më parë e pandikuar nga këto thirrje./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb