NGA RIVA GOGA, GJENEVE

Termi “Industria 4.0”, për herë të parë është bërë i njohur për publikun në Hanover, me rastin e Sallonit të teknologjisë industriale 2010. Në formatin zyrtar, ky koncept i ri mbështetur nga kancelarja Angela Merkel në vitin 2012, shpreh se bota po hedh hapat e parë drejt revolucionit të katërt industrial. Brenda pak dekadash pritet të përjetojmë një tjetër ndryshim rrënjësor të industrisë së prodhimit si dhe të organizimit të shoqërisë në tërësi. Në çfarë konsiston ky revolucion dhe ku priten të shfaqen impaktet e tij? Tri revolucione industriale kanë ritmuar zhvillimin e botës moderne: revolucioni i parë-fundi shek. XVIII – që lindi me ndërtimin e makinerive me avull dhe zhvillimin e industrive të para si tekstilet dhe metalurgjia (mekanizimi); revolucioni i dytë – fundi shek. XIX – në bazë të të cilit ishin shpikja e elektricitetit, nxjerrja në masë e naftës dhe bumi i automobilistikës (prodhimi masiv); revolucioni i tretë – mesi i shek. XX – i karakterizuar nga përdorimi i teknologjive të informatikës dhe komunikacionit (automatizimi).

INDUSTRIA 4.0 DHE GJERMANIA

Interneti dhe smartfonët kanë pasur një impakt radikal në jetën tonë të përditshme. Atëherë pyetja që është ngritur në këtë fushë dhe ka udhëhequr kërkimet ka qenë: përse të mos ia përshtatim këtë teknologji interaktive veprimtarisë së ndërmarrjeve tona? Ky ka qenë projekti ambicioz që ka prezantuar qeveria gjermane në vitin 2013, me programin e saj të quajtur “Industry 4.0”, nëpërmjet të cilit, lokomotiva e Europës pretendon dhe kërkon të riafirmojë lidershipin e saj në sektorin industrial. E quajtur ndryshe “Smart Industry”, uzina inteligjente do të funksionojnë në mënyrë atonome. Terminologjia e huazuar nga evolucionet informatike (web 1.0, 2.0..), do të thotë se industria do të robotizohet dhe se do të nxjerrë në pah ndërlidhjen mes objekteve (IoT, Internet of Things). Gjatë gjithë zinxhirit të prodhimit, makineritë do të jenë në gjendje të komunikojnë me njëra-tjetrën. Në fushën e drejtimit, vendimmarrja do të decentralizohet, sistemet cyber-fizikë (që ndërveprojnë me anë të internetit), mund të analizojnë informacione të shumta dhe të marrin vendime në kohë reale.

Gjithashtu, duke qenë modular, sistemi do të mund t’u adaptohet shpejt ndryshimeve të kërkesës, ndaj do të bëhet e mundur të koordinohet prodhimi në masë njëkohësisht me produkte të personalizuara dhe me kosto me të ulët. Objektet do të ndërveprojnë jo vetëm midis tyre dhe produktit, por edhe me vendet e punës. “Mënyra se si ne punojmë do të ndryshojë radikalisht”, deklaron Vincent Jauneau, drejtori i sektorit të industrisë të “Siemens”, Francë. Natyrisht, një sistem i tillë do të ndikojë si në modelet e biznesit, në strukturën e ndërmarrjeve, ashtu edhe në formimin profesional të personelit. Çfarë përfitojnë ndërmarrjet? Një ulje të kostove të prodhimit, një optimizim më i mirë i burimeve dhe për pasojë, një rritje të produktivitetit dhe fitimeve. “Airbus” për shembull ka parashikuar një ulje të kostove të prodhimit me 50%. Çfarë përfiton klienti? Tarifa më të ulëta, një produkt të personalizuar me cilësi më të lartë dhe të livruar brenda një afati kohor më të shkurtër. Pra, nuk bëhet fjalë për një evolucion, por për një revolucion të vërtetë, që do këtë impakt jo vetëm në dimensionet ekonomike dhe industriale, por edhe në ato politike e shoqërore.

AKTORËT KRYESORË
Gjermania është vendi i parë që shfaqi një vizion dhe përpunoi një program të qartë të erës së re industriale. “Ne ishim vendi i parë që ndërtuam një plan koherent dhe gjithëpërfshirës mbi të ardhmen tonë, ku bashkëpunojnë industria, politika, sindikatat edhe shkenca”, ka deklaruar Henning Kagermann, presidenti i Akademisë gjermane të Shkencave Teknike. Duke parë konkurrencën gjithnjë e më të fortë të vendeve në zhvillim (krijimi i vlerës nga industria është rritur me 17% në Europë, kundrejt 179% në BRICS*), Gjermania synon që nëpërmjet “Industrisë 4.0”, të krijojë një avantazh konkurrues, i cili t’i japë asaj përparësi në fushën e industrisë. Siç e thekson Kagermann, “Industria është shtylla kurrizore e suksesit tonë ekonomik”. Pikërisht ky koncept është inkarnuar në projektin “Industria 4.0”. Ndonëse Gjermania ishte e para që prezantoi një vizion dhe program të qartë, pjesë të tjera të botës e kanë ndjerë influencën e pashmangshme të teknologjive të reja në industrinë dhe politikat ekonomike.

Reagimet nga vendet e tjera nuk vonuan: Anglia është mobilizuar shpejt, duke shpallur programin e saj “High value manufacturing catapult” (2011) e ndjekur nga Italia me “Fabbrica del futuro” (2012, dhe Franca me “Usine du futur” (2013). Ndërsa në SHBA, organizata joqeveritare “Smart Manufacturing” “Leadership Coalition” (SMLC) dhe “General Electric” me programin “Industrial Internet”, punojnë për të ardhmen e industrisë inteligjente amerikane. Kryeministri indian, Shri Narendra Modi, prezantoi programin “Make in India” (2014), duke e vënë theksin mbi avantazhet e investimeve në Indi, duket se është më tepër një politikë maketingu, për të tërhequr investimet e huaja direkte sesa një strategji për të hyrë në erën e re industriale. Ndërsa Kina, nëpërmjet projektit “Make in China 2025” (2015) ka shfaqur më qartë ambiciet e saj, duke vendosur prioritet mbi inovacionet teknologjinë si robotika dhe printimet 3D. Presidenti i Tsinghua Holdings, Xu Jinghong është shprehur: “Ne, ndoshta, humbëm revolucionin e parë dhe të dytë industrial, por në të katërtin do të jemi lider…”

PARASHIKIME
Natyrisht, bazuar në iniciativën gjermane dhe projektet europiane, pritet riindustrializimi i kontinentit të vjetër, pasi prej dekadash pjesa më e madhe e fabrikave janë delokalizuar në Azi, për shkak të kostos së ulët së fuqisë punëtore. Sipas parashikimeve, robotizimi dhe uzinat inteligjente do të bëjnë të mundur prodhimin e produkteve në Europë me një kosto edhe më të ulët. Por, siç paralajmërojnë Erik Brynjolfsson dhe Andrew Mc Affee, profesorë në MIT (Massachusetts Institute of Technology), mund të ekzistojë risku i një “përqendrimi më të madh të pasurive dhe të pushtetit” që do të thellojë edhe më tej pabarazitë tashmë prezente botë.

Në këtë linjë janë edhe parashikimet e Forumit Ekonomik Botëror për shekullin e 21: Inteligjenca artificiale dhe ekonomia e robotizuar do të predominojnë në një botë gjithnjë më të pabarabartë e më pak stabël. Madje, “paqëndrueshmëria dhe pabarazia në ekonomi dhe politikë do të bëhen normë, ndaj duhet të mësohemi e të jemi të përgatitur”, pohon Jim Moffat, drejtori i përgjithshëm i Deloitte. “Industria 4.0” ka ende shumë sfida për të përballuar: sfida teknike e juridike si mbrojtja e të dhënave dhe sfida ekonomike e politike si rritja e përfitimeve shoqëruar me një shpërndarje sa më të ekuilibruar të pasurisë. Një gjë duket se është e sigurt: vitet e ardhshme pritet të modifikojnë të përditshmen tonë në shumë drejtime.

Burimi: *Office de Promotion des Industries et des Technologies (opi.ch)

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: