“Seria A” ngre këtë fundjavë siparin për sezonin e ri, por 2 nga 10 ndeshjet rrezikojnë të shtyhen për shkak të tragjedisë që ndodhi sot në qytetin e Xhenoas, ku për shkak të shembjes së një ure kanë humbur jetën 35 persona.


Dy ekipet e këtij qyteti, Sampdoria e Genoa, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat dhe përmes rrjeteve sociale janë shprehur se kanë mbetur të tronditur nga ngjarja e ndodhur, që ka përfshirë të gjithë Italinë. Madje skuadra e Genoa sot ka ndërprerë stërvitjen, duke qenë se mjaft lojtarë nuk kanë mundur të arrijnë qendrën stërvitore për shkak të bllokimit të rrugës.


Si rrjedhojë mediat në Itali shkruajnë se këta dy klube mund t’i kërkojnë Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) që të shtyhen në një datë tjetër ndeshjet e tyre, të vlefshme për javën e parë të Serisë A (Milan-Genoa dhe Sampdoria-Fiorentina).


Ndërkohë Komiteti Olimpik Italian (CONI) ka vendosur që të gjitha eventet sportive që do të zhvillohen në Itali, nga ky moment deri në fundjavë, të mbahet një minutë heshtje. Vendimi për shtyrjen ose jo të ndeshjeve pritet të merret orët në vijim.

(BalkanWeb)