Mijëra bashkë në këtë shesh jemi triumfi i shpresës mbi dëshpërimin. Jemi triumfi i kurajos mbi frikën. Jemi triumfi i popullit mbi qeverinë e keqe.

Një javë më parë, më 30 qershor, ne refuzuam të keqen, izoluam krimin, ndëshkuam korrupsionin.

30 qershori ishte një referendum kundër së keqes.
Ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i europianizmit dhe
qytetarisë së shqiptarëve
30 qershori ishte dita kombëtare e kurajos, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcë të ndahen nga e keqja.
30 qershori ishte dita e popullit, kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës

Edi Rama vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe, prapë, vodhi vota, por ai nuk mundi dot të fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij nga populli.

85 përqind e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij. Refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës.

Edi Rama kërcënoi, dhunoi, tentoi të blinte dhe, prapë, nuk ia doli të thyente vullnetin e njerëzve.

30 qershori dhe shumë ditë të tjera më parë në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë, kanë qenë triumfi i së vërtetës mbi propagandën. Kanë qenë trumfi i bashkimit mbi përçarjen.

Regjimi kriminal i Edi Ramës me propagandë, me mashtrim e gënjeshtra, me mercenarë dhe para u mundua të mbjellë mosbesim, të ngrejë dyshim për të ndezur frikë në zemrat e shqiptarëve, për të na trembur që të mos bëhemi bashkë, që të mos ngremë zërin kundër tij.

Frika sjell nënshtrim. Frika të mbyll gojën. Nënshtrimi, heshtja, mbajnë gjallë krimin, mbajnë gjallë korrupsionin.

Edi Rama do që ne të jemi të bindur, do që ne të jemi të nënshtruar, do që ne të jemi të heshtur, që ai të na plaçkisë dhe grabisë, që ai të ruajë pushtetin dhe paratë që ka vjedhur.

Populli i bashkuar, populli i ndriçuar, është fundi i autokratëve të korruptuar

Ne bashkë i themi ”Ndal” qeverisë më të korruptur të Europës, “Ndal” politikës së krimit dhe të vjedhjes. Shqipëria është e njerëzve. Qeverisja është e popullit.

Rama ik!

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Të dashur motra e vëllezër!

Unë ju jam mirënjohës të gjithë juve që jeni sot në këtë shesh, u jam mirënjohës të gjithë atyre që e braktisën dhe e refuzuan regjimin e krimit më 30 qershor. U jam mirënjohës të gjithë atyre që na janë bashkuar në përpjekjet tona për qeverisje të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit.

Faleminderit që nuk u lodhët! Faleminderit që nuk u dëshëpëruat asnjë çast! Bashkë ia kemi dalë! Bashkë do të rrëzojmë këtë qeverisje antipopullore dhe antikombëtare.

Faleminderit vëllezërve tanë që nuk u tundën nga dhuna policore, nga qelitë dhe prokurorët e Edi Ramës. Kurajo juaj na ka bërë më të fortë.

Faleminderit opozitës së bashkuar! Ju jam mirënjohës secilit prej jush, nga drejtuesit, tek anëtarët e thjeshtë. Bashkë jemi një uragan politik.

Faleminderit anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike! Respekt pa fund për të gjithë ju, për besimin tek kauza jonë, për të cilën qendruam bashkë, duke refuzuar mercenarët dhe të shiturit.

Nga ky shesh dua t’u drejtohem socialistëve të ndershëm kudo në Shqipëri: Ju nuk jeni hajna, ju nuk jeni kriminelë. Mos e lini partinë tuaj në duart e krimit, në duar te hajnave, në duart e injorantëve!

Është përgjegjësia juaj ndaj vetes, por edhe ndaj Shqipërisë! Braktiseni Edi Ramën! Izolojeni Edi Ramën! Shpëtoni partinë tuaj dhe nderin tuaj, të marrë peng nga krimi, oligarkët dhe të fortët e rrugës.

Rama ik!

Të dashur qytetarë,

Sot jemi më shumë se kurrë në këtë shesh, por Shqipëria po shkretohet. Shqiptarët po largohen nga vendi i tyre. Po ikin nga varfëria, Po ikin nga pasiguria dhe pamundësia. Po ikën rinia, e ardhmja e vendit. Po ikën elita, përparimi i vendit.

Dhjetëra mijëra shqiptarë të zotë e të ditur e kanë lënë Shqipërinë këto vite.

Mjekë, inxhinierë, informaticienë, kuzhinierë e infermierë, kanë ikur për mundësi, kanë ikur për dinjitet, kanë ikur për të jetuar të lirë në një shoqëri të drejtë dhe të ndershme.

Ne jemi ndarë nga familjarët, nga miqtë. nga të dashurit. Jetët tona janë varfëruar. Shqipëria është varfëruar.

Një vend që e braktisin më të mirët, profesionistët, intelektualët, një vend që e braktis rinia, ai vend nuk ka të ardhme.

Sot Shqipëria ofron shumë pak për bijtë e bijat e saj. ofron pak liri, pak mundësi, pak dinjitet.

Sipërmarrësi duhet të paguajë haraçin e korrupsionit dhe gjobën e kriminelit.
Mësuesi duhet të blejë e manipulojë vota..
Polici duhet të dhunojë kundërshtarët politikë.
Nëpunësi i shtetit duhet t’i shërbejë partisë.

E vetmja e ardhme për fëmijët, është të punojnë për partinë, ose për oligarkinë. Mundësi ka vetëm për krimin, karrierë ka vetëm për servilin. Mirëqenie vetëm për hajnin dhe grabitqarin.

Shqiptarët nuk janë të lirë.

Ëndrra për Shqipërinë si Europa është ende e parealizuar.

Europa është sundimi i ligjit,

Europa është kufizimi i pushtetit.

Vetëm shoqëritë dhe kombet ku sundon ligji bëjnë përpara. Atje ku sundojnë njerëzit dhe jo ligji, atje politikanët abuzojnë, politikanët korruptohen, politikanët bëhen autokratë.

Kjo ndëshkon qytetarët, lë mbrapa kombet.

Fjalët e presidentit Xhon Adams janë të vërteta edhe sot: “E vetmja qeverisje e mire është mbretëria e ligjeve. Atje ku ligji është mbret, atje qeveria është e mirë.”

Shqipëria sot është një vend pa ligj është një vend pa rregulla, është një vend pa drejtësi. Në Shqipëri sundon Njëshi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm.

Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama.

Ai është ligj.

Ai është kryeministër.

Ai është parlament.

Ai është prokuror dhe gjykatës.

Ai është kryebashkiak.

Ai është kryeredaktor.

Ai është kryetenderues.

Ai është drejtor.

Paratë e shqiptarëve i kontrollon ai. Shqipërinë e ka kthyer në pronë të tijën. Në Shqipëri nuk sundon vullneti i njerëzve, nuk udhëheq interesi i njerëzve. Sundon vullneti i Edi Ramës, udhëheq interesi i tij dhe i oborrit të tij plot me kriminelë dhe oligarkë grabitqarë.

Lakmia për pushtet dhe para e kanë vënë Shqipërinë nën thundrën e së keqes.

Përgjimet e publikuara nga gazeta BILD nxorën fytyrën kriminale të regjimit, treguan se regjimi Rama është antipopullor dhe antikombëtar.

Ky regjim duhet të rrëzohet! Sa më parë, aq më mirë për Shqipërinë!

Rama ik!

Të dashur qytetarë!

E gjithë bota tani e di se beteja jonë ka qenë e drejtë, se beteja jonë ka qenë jetike.

Pa përpjekjet tona 6 vjeçare, pa denoncimet, pa protestat, pa kurajon tone, nuk do të kishte ndodhur asgjë. Këmbëngulja jonë, qëndresa jonë, triumfoi.

Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit.

Sot shqiptarët janë të etur për ndryshim.

Sot shqiptarët duan një ndryshim të vërtetë.

Jo ndryshim të përkohshëm.

Jo ndryshim falls.

Jo ndryshim fasadë, por një ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt Drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore.

Ky ndryshim mund të vijë vetëm, nëse ne nuk përsërisim atë që kemi bërë në të shkuarën.

Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë, ata që sollën krimin në politikë, ata që e zhytën qeverisjen në korrupsion, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës.

Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur.

Vetëm drejtësia përmes ligjit.

Ndaj dua ta deklaroj sonte para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë së vërtetë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje, do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata

para drejtësisë së pavarur dhe bashkë me ta do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriun që ia la shtetin në dorë krimit.

Rama ik!

Pa u larguar Edi Rama nga pushteti:

Nuk do të ketë drejtësi.
Nuk do të ketë zgjedhje të lira.
Nuk do të ketë demokraci.
Nuk do të ketë integrim në BE.

Sundimi i ligjit është mënyra europiane, është standardi evropian.

Sundimi i ligjit është rruga e vetme drejt Europës.

E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!

Të gjithë atyre që kanë abuzuar me pushtetin, u themi sot: Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë!

Kriminelëve u themi: Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërruese! Shqipëria, e bukura e dheut, do të jetë një vend i lire, pa krim dhe pa dhunë. Me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve.

Fund të fortëve të rrugës!

Fund të fortëve të politikës!

Fund të fortëve të medias!

Fund të fortëve të biznesit!

Hapja dhe liria është fundi i të fortëve!

Konkurrenca e lirë është fundi i të fortëve në biznes!

Drejtësia e pavarur është fundi i të fortëve të rrugës dhe politikës!

Zgjedhjet e lira janë fundi i të fortëve të politikës dhe të medias!

Liria, demokracia dhe drejtësia garantohen vetëm me votën e lirë.

Një qeveri që vjen në pushtet jo nga vota e njerëzve, por nga paratë e oligarkëve dhe të krimit, ajo qeveri do të jetë qeveri e oligarkëve dhe e krimit.

Vetëm një qeveri që vjen me votën e popullit, do të punojë për popullin.

Për të patur një qeveri të popullit duhet, duhet në radhë të parë një reformë e thellë kushtetuese, politike dhe zgjedhore dhe reformë e partive politike.

Këto reforma do të garantojnë mundësinë e kujtdo për t’u zgjedhur.
Do të sigurojnë që paratë e krimit dhe oligarkëve të mos kenë rol në zgjedhje.
Që Administrata dhe burimet qeveritare të mos kenë rol në zgjedhje.
Që Mediat të mos jenë instrument i manipulimit të votuesve.

Kjo do të jetë sfida e parë pas largimit të Edi Ramës nga pushteti. Do të jetë sfidë e vështirë, por ne do ta realizojmë.

Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët.

Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me BE-në, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit.

Rruga e përparimit, kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurrencë të ndershme.

Lufta kundër monopolove
Lufta kundër klientelizmit
Lufta kundër kapjes së ekonomisë, lufta kundër varfërisë do të jetë sfida jonë më e vështirë.

Shqipëria ka aq shumë pasuri dhe mundësi natyrore, sa shqiptarët mund të jetojnë të gjithë në kamje.

Ata duan vetëm lirinë, vetëm konkurrencën e ndershme, që të prodhojnë dhe krijojnë me mundin dhe aftësinë e tyre.

Liria ekonomike do të sjellë punë.

Liria ekonomike do të sjellë mirëqenie.

Ne do t’i hapim tregjet. Do të garantojmë konkurrencën e lirë. Do të krijojmë një mjedis, ku të lulëzojë sipërmarrja private.

E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!

Të dashur bashkëqytetarë!

Të derdhur si asnjëherë në këtë shesh, ju, bashkimi solar i refuzimit, dhe ju qindra, mijëra, miliona të tjerë, zëri i heshtur, por i vendosur për ndryshim,

Përpara kemi një mision të vështirë për liri dhe demokraci.

Për t’ia dalë duhet të heqim dorë nga fajësimi i të tjerëve, duhet të heqim dorë nga fajësimi i të shkuarës.

Ne duhet të ndihemi përgjegjës për fatet tona. Duhet të besojmë tek forca jonë. Duhet të besojmë tek vetvetja, tek njëri-tjetri, se jemi ne ata që duhet t’i bëjmë gjërat.

Dinjitetin nuk do ta gjejmë duke bërë viktimën.

Forcën nuk do ta gjejmë duke fajësuar të tjerët.

Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë.

Zgjidhja nuk vjen me magji.

Punën nuk do të na e bëjnë të tjerët

Padyshim në rrugën tonë do të kemi ndihmën e miqve. Në betejat tona nuk do të jemi vetëm, por beteja është e jona.

Frymëzimi ynë janë patriotët që shpëtuan kombin tonë, janë ata që e bënë Shqipërinë të pavarur. Frymëzimi im jeni ju, dashuria e pastër për atdheun, vetëdija për të ardhmen e kombit, është shembulli, është frymëzimi për misionin tonë.

Ne besojmë tek e ardhmja e ndritur e Shqipërisë. Besojmë me zemër dhe me shpirt. Kushdo që ka shpirt e mendje beson si ne.

Ne e kemi shpirtin plot me dashuri për Shqipërinë. Koha është e shqiptarëve. Zoti është me shqiptarët.

Dhe Zoti vetë e tha me gojë,

se kombet shuhen përmbi dhe.

Por SHQIPËRIA do të rrojë,

për të, për të luftojmë ne!

Zoti ju bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb