Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin me temë “Vlerësimi i Reformës në Drejtësi të Shqipërisë, sfidat, pasojat dhe rruga e drejtë”, ka kritikuar disa elementë të sistemit të drejtësisë sic është prezumimi i pafajësisë.
Berisha tha se 62% e atyre në qeli janë të paraburgosur dhe persona nën hetim.
“Po të shkoni në popullatën e burgjeve, 62 përqind e të burgosurve në këtë vend janë të paraburgosur, persona nën hetim, persona që absolutisht shumica e tyre nuk duhet të ishin aty ku janë.
Por ky është një sistem strikt policesk, të arreston polici dhe të lënë aty, nuk flet më kush me ty. Dhe aty janë bërë 62 përqind të burgosurve janë të paraburgosur.
As diktaturat më të ashpra nuk kanë këtë përqindje. Po kjo ekziston se këtu nuk ka prokurorë dhe gjykatës. Për të zbardhur vendimin i duhen 4 apo 5 muaj apo të fusësh mik për të zbardhur vendimin”, tha Berisha.
Lideri i opozitës tha se këto janë konsekuencat e rënda për qytetarin shqiptar.
“Kemi edhe një problem tjetër të dokumentuar, faktik. Kjo drejtësi ka krahun e saj politik të pamohueshëm. Krahun politik, i cili në një moment të caktuar, në një vit elektoral, së pari në mënyrë antikushtetuese bën amnistinë e krimit elektoral.
Dosjet që ju i dini të gjithë, janë dosje të bazuara në regjistrime zyrtare, konform procedurave ligjore, 100 përqind të vlefshme.
Dy dosjet, e Peshkopisë dhe e Durrësit. Por ato, kreu i afërmendshit i hedh në kosh sepse aty del kryeministri në të dy dosjet.
Del kryeministri si kapo i krimit elektoral në ato dosje. Mirëpo nuk ka akt më të rëndë se sa amnistimi i krimit elektoral.
Sepse ajo faktikisht përbën licencë për bllokimin e rotacionit të pushtetit. Përbën licencë për përdorimin e krimit dhe manipulim të vullnetit të zgjedhësve”, tha kreu i PD, Sali Berisha.
(Balkan Web)