Ambasadori i BE Silvio Gonzato nga Elbasani ka reaguar lidhur me bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”. Gonzato bëri apel që pavarësia e institucioneve të drejtësisë të respektohet ndërsa shtoi se BE do të vazhdojë të asistojë komisionin “Xhafaj” për të bërë të mundur konsolidimin e Reformës në Drejtësi.

“Nuk mendoj që ata ishin kundër komisionit. Ata gjykuan se kontributi i tyre në punën e komisionit duhet të trajtohej ndryshe. Unë mendoj që media nuk e interpretoi drejtë mënyrën dhe mendimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjyqësorit dhe SPAK.
Ajo që është e qartë është fakti që ne duhet të respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo do të thotë që do të nevojitet kontributi i tyre, por do të duhet të konsolidohet Reforma e Drejtësisë e vitit 2016.
Kjo na bëri në që të ndihmonim me ekspertizën tonë për komisionin në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionin, mirëqeverisjen dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi.I pyetur nga gazetarët në lidhje me protestat e opozitës ambasadori u shpreh se Opozita ka mënyra të ndryshme për të denoncuar mungesën e demokracisë dhe nuk mendoj që djegia e karrigeve është mënyra më e mirë”, u shpreh ai.

Ambasadori i BE ishte në Elbasan ku së bashku me Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja vizituan projektin social “Tradita ime Artizanale” i cili ka në fokus mbështetjen e grave dhe vajzave në nevoje dhe i ndërtuar në një nga pronat e sekuestruara të veprimtarive kriminale.

Ndërsa, Risena Xhaja, Kryeadministratorja e Agjencisë sw Administrimit tw Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara gjatë këtij aktiviteti u shpreh se ishte kënaqësi për të që aktivitetin e parë në krye të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara e zhvilluan në një sipërmarrje, pjesë e programit TWIST, të financuar nga Komisioni Evropian, që ka në fokus mbështetjen e nismave të tilla sociale, përmes ripërdorimit të pronave të konfiskuara.

“Në fakt, përmes shembujve të tillë, ne përmbushim edhe një nga qëllimet kryesore të ligjit mbi administrimin e pasurive të konfiskuara, që është rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të jashtëligjshme.

“Tradita ime Artizanale” është një sipërmarrje sociale në qytetin e Elbasanit, që ka në fokus mbështetjen e grave dhe vajzave në nevojë, duke ruajtur në anën tjetër traditën tonë me prodhime artizanale.

Nisma të tilla që fuqizojnë komunitetet, mbështesin gratë dhe vajzat në nevojë apo edhe kategori të tjera në nevojë, promovojnë vlerat dhe traditat tona shumëvjeçare, jo vetëm që duhen mbështetur, por edhe zgjeruar më tej.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor, si në këtë rast me Bashkinë e Elbasanit, por edhe me bizneset, organizatat e shoqërisë civile, mediat, është me rëndësi të posaçme, edhe për arsyen e thjeshtë se produktet e këtyre grave dhe vajzat, pra këto qilima të bukur dhe të veçantë që ato prodhojnë, duhet të gjejnë një treg, në mënyrë që sipërmarrje të tilla të jenë sa më e suksesshme.
Ne jemi të vendosur për të vijuar në këtë rrugë, edhe me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë, Komisionin Evropian, OSBE-në, aktorët e shoqërisë civile, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për kontributin e dhënë përgjatë këtyre viteve, duke bërë të mundur që pasuritë e sekuestruara të përdoren në të mirë të komuniteteve dhe për kauza sa më të drejta sociale.

I kam kërkuar stafit të Agjencisë që të realizojmë një inventarizim sa më të plotë të të gjitha pronave dhe pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, në mënyrë që të kemi edhe një regjistër të digjitalizuar, me informacion për secilën pronë, gjë që më tej do të shërbejë edhe në funksion të nismave të ngjashme në të ardhmen.

Ne do të zgjerojmë më tej forma të tilla të bashkëpunimit, në mënyrë që çdo pasuri të shndërrohet në përfitime reale për shoqërinë. “Tradita Ime Artizanale” është një Sipërmarrje Sociale në Elbasan e cila ka në fokus mbështetjen e grave dhe vajzave në nevojë duke i mësuar atyre teknikën e thurjes së qilimave. Kjo sipërmarrje synon të ruajë traditën Shqiptare me prodhime artizanale dhe ta përçojë atë anë e mbanë botës”, u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: