Nga: Marsela Karapanço

Që drejtësia nuk është futur ende në shinat e duhura, këtë e vërteton numri i lartë i ankesave të qytetarëve pa nisur mirë vitin 2018. Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë mbërritur 30 ankesa nga qytetarët, për çështje gjyqësore të ndryshme, ndërkohë që 2017-a u mbyll me 334 ankesa.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligj, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.

DEKLARATA E PLOTE
Në kuadër të transparencës dhe bashkëpunimit me publikun, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke marrë shkas nga numri i lartë i ankesave të qytetarëve, dëshiron të informojë edhe një herë publikun se misioni i KPK-së nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit.

Në vitin 2017, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë depozituar 334 ankesa, ndërsa gjatë ditëve të para të vitit 2018 ka pasur 30 ankesa nga qytetarët.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligjin nr.84/2016, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë.

Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave. Për të denoncuar subjektet e rivlerësimit (gjyqtarët dhe prokurorët), Komisioni ka vënë në dispozicion formularin e posaçëm të denoncimit, që gjendet online në faqen zyrtare kpk.al. Ky formular mund të plotësohet me ndihmën e një punonjësi të KPK-së, në mjediset e këtij institucioni, në adresën: Rruga e Kavajës, ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: