TIRANE

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës që duan t’i rikthehen mësimit e kanë tani një zgjidhje. Që nga dita e sotme siç raporton për “BalkanWeb” gazetarja Aurora Golemi, ata mund t’i ndjekin leksionet pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në orën 14:00.

Kjo është zgjidhja e gjetur nga Dekani i Fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha i cili ka komunikuar përmes telefonit me ministren e Arsimit Besa Shahini, për të rënë dakord.

Nga ana tjetër ambientet e fakultetit Juridik vazhdojnë të jenë të zëna nga një grup stidentësh që kanë zgjedhur këtë formë ngujimi për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në Fakulteti e Drejtësisë nuk kanë munguar as tensionet dhe përplasje mes grupeve të studentëve. Nga ana tjetër studentët e ngujuar akuzojnë policinë se ka ndërhyrë me dhunë për t’i nxjerrë nga ambientet e fakultetit. Ata po ashtu e cilësojnë si mos zgjidhje vazhdimin e mësimit nga pjesa tjetër e studentëve.

Për kamerën e News 24, një nga studentët e ngujuar deklaroi se ndaj tyre vazhdojnë presionet dhe kërcënimet me telefon.

“Është fakt i vërtetuar se ne kërcënohemi në rrjetet sociale, por edhe me numra. Na akuzohen edhe familjet. Në orët e vona të natës na kërkcënojnë në telefon, na thonë dilni nga ngujimi. Të vazhdosh mësimin tek Petro Nini nuk është zgjidhje, por mos zgjidhje. Gjimnazi nuk i ka kurrë kapacitetet e duhura, kësaj i thonë t’i shmangesh përgjegjësive”,- tha ai.

Gjetja e kësaj zgjidhje nga dekanati i Juridikut për studentin e ngujuar do të thotë që disa prej studentëve t’i shohësh me syrin e nënës dhe të tjerët me atë të njerkës.

“Ne do presim edhe qëndrimin e pedagogëve deri më 1 shkurt, pastaj do marrim masat tona”,- shtoi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb