TIRANE- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili sugjeroi dje, që politika të mos humbasë kohë kaq të gjatë për të shkuar tek mirëkuptimi për çështje të rëndësishme siç është reforma në drejtësi. “Të mos humbasim më kohë kaq të gjata për të vajtur tek konsensualiteti për çështje të cilat kanë rëndësi madhore për gjithë vendin, por t’i shkurtojmë këto kohë”, – tha Vasili, në një prononcim për “TCH”.

Sipas tij, “‘Venecia’ është prind me opinionin e saj, me referencat që ajo ka dhënë, me mjaft elementë të reformës dhe njëkohësisht konsensualiteti. Konsensualiteti ka lindur si një pakënaqësi e madhe e një shumice shqiptarësh ndaj drejtësisë, e cila ka qenë shumë më e madhe se shumica qeverisëse dhe shumë më e madhe se opozita. Pra, do të thotë se shqiptarët në tërësi kanë qenë të shqetësuar dhe të pakënaqur. Këtij shqetësimi masiv i jep përgjigje një zgjidhje konsensuale”, – tha Vasili.

Për kreun e grupit kuvendor të LSI-së, nuk është i rëndësishëm fakti nga erdhi trysnia që detyroi dy partitë e mëdha të gjejnë gjuhën e përbashkët, por rezultati që u arrit. “Të gjithë e kuptojnë që duhet të japin mirëkuptim, të lëshojnë diçka nga llogoret nga bastionet dhe në emër të së mirës së përgjithshme të gjejnë mirëkuptimin. Dhe se kush kontribuon, ndërgjegjja e lartë politike, presioni i madh popullor që do një zgjidhje, apo presioni pozitiv i ndërkombëtarëve, të gjitha kanë pjesën e tyre. Por rëndësi ka që rezultati është se kemi mirëkuptim. Pra, politika gjithmonë e më shumë tregon pjekuri dhe përgjegjshmëri, kjo mbetet në fund të të gjithë procesit”, – tha Vasili.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: