TIRANË-Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi ka vijuar sot diskutimin për shqyrtimin e projektligjit “Për Gjykatën Kushtetuese”, në kuadër të paketës ligjore që parashikon ndërhyrje në 7 ligje, me qëllimin për t’i bërë të zbatueshme ndryshimet në Kushtetutë.

Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj bëri të ditur se mbeten ende tre-katër nene të hapura.

“Ditën e premte do t’i rishohim edhe këto nene për ta përmbyllur të gjithë projektligjin për Gjykatën Kushtetuese.”- deklaroi Xhafaj.

Sakaq, opozita mungonte dhe në mbledhjen e së hënës, pasi kundërshtoi nisjen e këtij procesi, përsa kohë palët janë në negociata dhe nuk kanë gjetur mirëkuptim për pikën e vetme të paketës kushtetuese, atë të formulës së votimit të emërimeve nga ana e parlamentit të disa anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.

Sot në komision, drafti për Kushtetuesen është paraqitur nga relatori i çështjes. Çështja kryesore e këtij projekti lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, duke parashikuar një formulë të re.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej tyre emërohen nga Presidenti i Republikës, 3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa 3 të tjerë nga Gjykata e Lartë.

Institucioni i ri që krijohet nga reforma në drejtësi është Këshilli i Emërimeve, i cili, për të 9 anëtarët e Kushtetueses, pavarësisht se cili autoritet i zgjedh, bën renditjen e kandidatëve, sipas meritave të tyre, ndërsa Presidenti, parlamenti apo Gjykata e Lartë janë të detyruar të zgjedhin ndërmjet 3 kandidaturave që janë renditur të parat.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: