Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm ku së fundmi ka zhvilluar një takim me strukturat në Elbasan.

Mediu u shpreh se në Elbasan, trafiku i drogës është bërë dominant dhe se grupe kriminale përdoren në bashkëpunim me pushtetin, për të manipuluar zgjedhjet.

“Ne sot nuk jemi një republikë parlamentare kushtetuese, por një republikë kryeministrore, ku Shqipëria shkëmbehet për interesa të caktuara të pushtetit në çdo lloj forme të mundshme. Ajo që është akoma më e keqe, dhe ju jeni dëshmitarë këtu në Elbasan, trafiku i drogës është bërë dominant. Grupet e forta të trafikut të drogës, që kanë paratë, dominojnë dhe politikën. Ata zgjedhin. Ata vendosin. Për fatin e keq, është një marrëdhënie e dukshme, e pranueshme e qeverisjes së sotme. Akoma më tej, për shkak të interesave të pushtetit, nuk ka më as liri, as të drejta dhe as ligje. Këto grupe kriminale, përdoren në bashkëpunim me pushtetin, për të manipuluar zgjedhjet, për të intimiduar votuesit, për të blerë votat, për t’u thënë shqiptarëve që vota juaj s’vlen. Por kur vota s’vlen, jeta jonë nuk vlen, jeta e fëmijëve tanë nuk vlen, sakrifica e prindërve tanë nuk vlen.”- theksoi Fatmir Mediu.

Në takimin me strukturat e Partisë Republikane në Elbasan, Mediu vuri në dukje nevojën që ka vendi për funksionimin e drejtësisë.

“Shqipëria ka nevojë për drejtësinë e pavarur nga politika, por jo të pavarur nga ligji dhe kushtetuta, që të përdoret në mënyrë okulte” u shpreh kryetari i PR.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb