TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi fill pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Reformës në Drejtësi, pohoi se opozita është e gatshme që draftin final ta miratojë javën që vjen. Nga ana tjettër Halimi theksoi se e draftit duhet ti bashkangjitet dhe ligji për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ligji për hetimin e gjyqtarëve.

“U bë paraqitja e drafti nga ana e dy ekspertëve. Draft i cili synon të hedh në letër draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese për diskutimet që janë bërë në këtë kohë. Dua të them në emër të opozitës se lidhur me komponentin 9 të korrupsioni që ka të bëjë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të hetimit, opozitës ka dhënë dakordësinë e saj në parim, pasi drafti i fundit ndryshon nga drafti i shtatorit. Ne japim dakordësinë tonë në parim. Lidhur me ngritjen e institucioneve të reja për mënyrën e funksionimit dhe luftën ndaj korporatizmit, në draftin e shtatorit dhe të janarit mungon. Ne sot morën draftin dhe deri ditën e hënë do shqyrtojmë nëse drafti final i paraqitur sot respekton të gjithë vendimet. Jemi gati ta votojmë që javën tjetër, sëbashku me Ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ligjin e hetimit të gjyqtarëve.”, theksoi Halimi.

XHAFAJ: OPOZITA KËRKOI KOHË, E MIRATOJMË TË HËNËN
Kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj tha se sot kemi një projekt kushtetues që nuk mban thjesht vulën e ekspertëve shqiptarë dhe komisionit të Venecias, por edhe mbështetjen e Amerikës dhe Europës si dhe Euralius e Opdate. Xhafaj tha se maxhoranca ka kërkuar që projekti të miratohej që sot por opozita ka kërkuar kohë. Për këtë arsye ai tha se të hënën komisioni do të mblidhet sërish për ta votuar.

“Nuk është koha e llafeve që kemi kohë që i kemi dëgjuar. Është koha për të demonstruar vullnet dhe gatishmëri për ta votuar projektin. Pati një propozim nga ana e kolegëve të maxhorancës për ta votuar sot në parim projektin kushtetues por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord ta mirëkuptojmë edhe këtë herë. Ditën e hënë në orën 9 ose 10 do të mblidhet komisioni i posaçëm i reformës për ta votuar projektin në parim. Është momenti për të bërë punë konkrete. Java që vjen javë decisive për t’i ndarë përfundimisht gjërat dhe për ta çuar procesin përpara. Do e mbledh rregullisht komisionin javës së ardhshme”, tha ai.

Xhafaj theksoi se nuk ka më kohë për të humbur. “Kohë nuk ka, është koha për të punuar. Falënderoj 2 ambasadorët e pranishëm, në mënyrë të veçantë dy drejtuesit e Euralius dhe Opdate që kanë punuar me përkushtim. Jam i lumtur që zoti Halimi të jetë i kënaqur. Kanë kohë që marrin mungesa që të vijnë të bëjnë detyrat. Opozita nuk ka alternative tjetër veçse ta miratojë projektin, i cili është aty i ndryshuar”, u shpreh kreu i Komisionit për Reformën në Drejtësi.

Halimi sqaroi që ndryshimet që i janë bërë projektit janë me të kuqe dhe blu.
“Duke e ditur që ne zihemi edhe për këto gjëra, ky është realiteti mjeran në Shqipëri. Amerikanët i kanë bërë me ngjyrë të kuqe dhe blu për t’i parë ndryshimet. Maxhoranca nuk ka pasur asnjëherë tërheqje por vendosmëri për të ecur para”, nënvizoi Xhafaj.

XHAFAJ U PERGJIGJET GAZETAREVE

  • Xhafaj, një koment lidhur me mbledhjen e ditës së sotme?

Së pari duhet t’ju them që sot është një ditë e mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Kemi sot draftin kushtetues, projektin kushtetues, i ndërtuar pas një pune të gjatë më shumë se një vjeçare nga ana e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, i certifikuar, jo njëherë, por dy herë nga Komisioni i Venecias dhe i përmbyllur me opinionin final, të këtij viti dhe tashmë, kemi një projekt të rishikuar mbi bazën e Opinionit Final të Komisionit të Venecias dhe debatit të zhvilluar në komision nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë.

Sot kemi një projekt kushtetues i cili nuk mban thjesht vulën e ekspertëve shqiptarë, nuk mban thjesht vulën e ekspertizës së Venecias, por mban dhe mbështetjen euro – amerikan. Mban sot mbështetjen e ekspertizës më të mirë që ne kemi këtu në Shqipëri të EURALIUS, të OPDAT, mban mbështetjen e Uashingtonit, mban mbështetjen e Brukselit. Tashti koha nuk është më për llafe. Koha e llafeve, e sebepeve, të cilat kemi kohë që i kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga më të ndryshmet, është koha për të demonstruar vullnet dhe për të demonstruar gatishmëri për ta votuar projektin.

  • Xhafaj pse nuk u miratua në parim drafti siç ishte propozuar nga mazhoranca më herët?

Po. Dua të jem i hapur, dua të jem i sinqertë me ju. Pati një propozim nga ana e kolegëve të mazhorancës për ta votuar sot në parim projektin kushtetues, por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord ta mirëkuptojmë edhe këtë herë opozitën dhe ditën e hënë, në orën 09:00-10:00 , do të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, për të shqyrtuar projektin, për të bërë pyetje, për të diskutuar dhe për ta votuar projektin një parim. Më duhet të përsëris edhe njëherë që tashmë është momenti për të bërë punë konkrete. Dhe java që vjen do të jetë javë deçizive për t’i ndarë përfundimisht gjërat dhe për ta shtyrë procesin përpara. Që do të thotë, që gjatë gjithë javës që vjen, unë do të mbledh rregullisht komisionin e posaçëm parlamentar për të diskutuar projektin nen për nen, për ta votuar atë në tërësi, për t’ia kaluar pastaj Kuvendit për të ndjekur procedurën e debatit dhe votimit parlamentar dhe për ta shoqëruar projektin edhe me një sërë projektligjesh të rëndësishme që jetësojnë, që e konkretizojnë dhe që e zbatojnë këtë projekt të rëndësishëm kushtetues. Janë disa ligje që do të duhet të shqyrtohen shumë shpejt në komision. Kohë nuk ka. Koha është në limit. Është koha për të punuar dhe java që vjen do të jetë java e punës dhe e vullnetit konkret. Është rasti, të falënderoj dy ambasadorët që ishin të pranishëm, për impenjimin, angazhimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë procesit. Por në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj dy drejtuesit e misioneve ndërkombëtare EURALIS-it dhe OPDAT-it të cilët kanë punuar me një përkushtim të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në fund të fundit edhe na ndihmuan që të mos vuajmë më me lloj-lloj sebepesh, me lloj-lloj përkthimesh alla shqiptare, por na thanë shkurt: “Ky është versioni anglisht dhe shqip për ta votuar”. Tani nuk ka më kurrkush që të thotë se unë e kuptova ndryshe. Është koha thjeshtë dhe vetëm për të votuar.

Për të arritur deri këtu z. Halimi duhet sikur i jepte më shumë meritë opozitës që këmbënguli që të bëheshin një sërë ndryshimesh, në mënyrë të veçantë asaj pjese të draftit që parashikon mekanizmat se si do të luftohet korrupsioni në vend. Sipas tij nuk është më ai drafti i shtatorit apo i janarit që ai i quante drafti i Edi Ramës dhe se tani ka ndryshime thelbësore. Cilat janë këto ndryshime që kanë kënaqur opozitën sot?
Unë jam i lumtur që z. Halimi të jetë i kënaqur. Kjo do të jetë një gjë shumë e mirë sepse me thënë të drejtën kanë kaq kohë që marrin mungesa, marrin raport që të vijnë të bëjnë detyrat. Por për mua është shumë e rëndësishme që opozita të kuptojë që nuk ka alternativë tjetër veç se për ta votuar projektin. Projekti është aty. Projekti fillestar, projekti që janë bërë mbi bazën e ndryshimeve që ka paraqitur Komisioni i Venecias, Opinioni i Komisionit e Venecias dhe ndryshimet që janë bërë mbi bazën e debatit të parlament. Unë besoj se për fat të mirë, duke ditur që ne zihemi për këto gjëra, nuk kemi çfarë të bëjmë, ky është realiteti politik në Shqipëri. Shumë mjeran për hir të së vërtetës që zihemi për nene dhe për paragrafin. Duket se e kanë kuptuar edhe amerikanët dhe evropianët, dhe çfarë kanë bërë? I kanë bërë me ngjyrë të kuqe dhe me ngjyrë blu. Kështu që ju keni të gjithë mundësinë t’i merrni dhe t’i shikoni se cilat janë ndryshimet konkretisht. Janë bërë jo vetëm përkthimi i saktë, por janë bërë edhe sipas mendjen politike së ditës në Shqipëri.

Nuk ka tërheqje të mazhorancës?
Mazhoraca nuk ka pasur asnjëherë tërheqje. Ka pasur vetëm shikim para dhe vendosmëri për të ecur përpara. Kjo është një gjë e qartë që nga dita e parë në nëntor të 2014-s kur ka kaluar vendimi në Kuvendin e Shqipërisë për ngritjen e këtij komisioni të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, mazhoranca ka parë vetëm para me një objektiv, me një qëllim, t’i japi vendit, t’i japi qytetarëve reformën e shumë pritur për të pasur drejtësinë e shumë pritur për qytetarët shqiptar. Kjo duhet të jetë padyshim, dhe besoj dhe shpresoj, që shumë shpejt do të jetë një lajm i mirë për shqiptarët që do të hedhim themelet për të ringritur dhe për ta rithemeluar këtë sistem drejtësie në interes të shqiptarëve, në interes të ardhmërisë së vendit.

Qëndrimin zyrtar opozita do ta marrë vetëm të hënë pasi ta shohë në themel draftin që u njohën sot, sidomos për ngritjen e institucioneve të reja tha z. Halimi…
Unë nuk e di se çfarë do të bëjë opozita ditën e hënë. Nuk besoj se opozita e mori gjithë këtë kohë deri ditën e hënë, që nuk e votoi sot në parim, por e çoi për ditën e hënë se kanë ndonjë plan tjetër veç vullnetit për ta miratuar në parim dhe për të vazhduar pastaj nen për nen dhe në tërësi. Nëse opozita do të bënte këtë gjë kjo do të ishte vetëvrasje politike dhe unë nuk besoj që opozita do ta bënte një hap të tillë sepse kjo do të ishte një kosto jo thjeshtë për opozitën, por është një kosto për vendin. Dhe këtu duhet të dalim tej të qënurit anëtari i X apo Y partie, por duhet të ngrihemi dhe të gjykojmë mbi fatet dhe interesat e mëdha që kanë qytetarët, që ka vendi. Jo thjeshtë për procesin e integrimit, po se po, por mbi të gjitha për të pasur sa më pak nga ata gjyqtar që po shohim përditë të korruptuar dhe të paaftë.

Gjithë ky mobilizim për ta miratuar sa më shpejt reformën brenda muajit qershor është një arsye më shumë për të shmangur turpin e komisionit, citoj këtu ambasadorin Lu?
Duhet ta pyesni ambasadorin për kë e kishte të adresuar këtë shprehje. Unë drejtoj një Komision i cili ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në një vit e gjysmë ka bërë një proces i cili nuk ka të ngjashëm në Shqipëri për këto 25 vjet dhe jam krenar për gjithë këtë punë mbi një vit që është bërë nën drejtimin e këtij komisioni dhe që sot ka dhënë një produkt i cili meriton mbështetjen më të mirë të mundshme.

VASILI: S’KA MË ASNJË ARSYE PËR TË DISKUTUAR, TA VOTOJMË PA HEZITIM
Në përfundim të mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili deklaroi për mediat se tashmë nuk ka asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por reforma duhet votuar pa hezitim.

“Unë eci mbi besimin e plotë që një draft i cili ka respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare besoj që nuk ka më asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por i vetmi qëndrim politik është votimi pa hezitim.”- u shpreh Vasili.

Kreu i grupit te LSI shprehu bindjen se reforma në drejtësi do të miratohet të hënën.
“Reforma nuk do të dështojë. Të hënën do të votojmë në parim reformën në drejtësi dhe më pas do të ecim me shpejtësi në miratimin nen për nen”, tha Vasili.

VASILI U PERGJIGJET GAZETAREVE
Si i komentoni zhvillimet e sotme në Komisionin për Reformën në Drejtësi?
Mendoj që sot kemi pasur një ditë të rëndësishme të Komisionit për Reformën në Drejtësi, pasi patëm në tavolinë draftin tashmë të përpunuar dhe të ripunuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, draftit tashmë të Komisionit të Venecias dhe mendoj që ky është një moment shumë i rëndësishëm, moment zhvillimi. Pra, që i jep Reformës në Drejtësi një hapësirë të re, pasi kemi një draft që është hartuar nga profesionistë dhe institucione që përfaqësojnë BE-në dhe SHBA-të mbi themelin e punës shumë të madhe të Komisionit të Venecias e që tejkalon në mënyrë të qartë mosbesimin karakteristik që politika shqiptare ka ushqyer për vite me radhë.

Kemi një produkt tërësisht i paanshëm, por edhe profesionalisht shumë solid, dhe një produkt i cili hap rrugën përsa i takon ndryshimeve kushtetuese për të ecur sa më shpejt përpara. Sigurisht që miratimi në parim është një çështje që besoj se nuk ka nevojë të diskutohet më. Pra miratimi në parim i këtij drafti është i konfirmuar përsa i takon LSI-së dhe mendoj që kjo frymë, pra e të ecurit sa më shpejt me këtë reformë, është edhe fryma që duhet të na karakterizojë.

Është humbur shumë kohë, nuk mund të humbet kohë më tej, pasi dihet qartë që ky draft, kjo reformë është e lidhur dhe me fatin e integrimit evropian të Shqipërisë, që ka limite, ka afate kohe shumë të çmuara ashtu sikurse ambasadorja Vlahutin pati mirësinë t’i sqarojë komisionit. Në këtë mënyrë nuk na pret gjë tjetër që të hënën, besoj pa asnjë hezitim të gjithë duhet të miratojmë në parim këtë draft për të ecur pastaj me shpejtësi në shqyrtimin e tij nen për nen dhe për të fituar gjithë këtë kohë të humbur edhe me debate ndonjëherë edhe shterpë…

Nga drafti dhe nga gjithë zhvillimet që pati sot në Komisionin e Posaçëm parlamentar a mendoni se do të miratohet brenda qershorit. Janë integruar të gjitha shqetësimet e të gjitha palëve?
Unë eci mbi besimin e plotë që një draft i cili ka respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare, është parë gjerësisht, është komentuar gjerësisht nga Komisioni i Venecias dhe me besimin reciprok të të gjitha forcave politike. Është marrë në shqyrtim dhe është pasuruar me eksperiencën e EURALIUS-it dhe OPDAT-it besoj që nuk ka më asnjë arsye tjetër për të diskutuar, por në këtë moment që ndodhet Reforma në Drejtësi, i vetmi qëndrim politik është votimi pa hezitim.

A duhet dhe a do të mbajt përgjegjësi z. Vasili vetë Komisioni i Posaçëm për dështimin edhe pse të gjithë e urojnë që të mos ndodh diçka e tillë?
Nuk do të dështojë as reforma në drejtësi, as komisioni. Ne të hënën pa asnjë diskutim do ta votojmë në parim dhe do të ecim përpara për të pasur reformën e miratuar brenda këtij sesioni dhe objektivi besoj në rast se përgjegjshmëria politike do të bëjë të sajën, do të jetë që të surprizojmë pozitivisht opinionin publik shqiptar, që ta votojmë edhe më shpejt nga sa mendohet.

AMBASADORET: MIRATONI REFORMEN
Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin përsëritën apelin për miratimin e reformës brenda muajit qershor në parlament.

Ambasadori Donald Lu iu drejtu

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: