Zbulimet te Mozaiku mund të jenë të një periudhe të vonë sipas arkeologëve në terren. Megjithatë punimet janë pezulluar”. Ka qenë kjo deklarata e drejtoreshës së Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në varësi të Ministrisë së Kulturës. Arta Dollani tha për “BalkanWeb” dhe “News24” se në ditët në vijim do të bëhen sondazhe ndërsa punimet sipas saj janë rehabilituese në zonë.

Ajo u prononcua edhe për çështjen e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, teksa foli për një projekt të miratuar nga specialistët e këtij instituti duke siguruar gjithashtu se nuk preket ballina me basoreliev dhe se ndërhyrja ishte e detyrueshme pas tërmetit të 26 nëntorit.

PUNIMET TE MOZAIKU
“Ne i kemi ndjekur punimet pranë mozaikut. Bëhet fjalë për një ndërhyrje rehabilituese në zonë, hapësira publike që rehabilitohen. Arkeologët kanë hasur në disa shtresa. Aktualisht punimet janë pezulluar, si në çdo raste kur hasen shtresa. Janë punime infrastrukture dhe rehabilituese. Janë punime që bëhen kudo, nuk kanë të bëjnë me ujësjellësi, lejohen për çdo lloj zone derisa haset në shtresa”, tha Arta Dollani, drejtoreshë e IKTK-së. Ajo pohoi se arkeologët kanë shkuar në terren dhe se po studiohet materiali. “Arkeologët tanë evidentuan disa struktura, të cilat sipas arkeologut Mariglen Meshini, mund të jenë struktura të vona, që mund të jenë edhe mure avllie, por është ende herët për të folur. Nga materialet ashtu duket, por janë pezulluar punimet derisa të studiohen materialet dhe të jepet një datim i tyre. Nesër do të bëhen edhe disa sondazhe arkeologjike, për të kuptuar më shumë”, tha Dollani.

Monumenti i njohur si “Mozaiku” i Tiranës i përket shekullit të III dhe është një prej siteve arkeologjike më të vjetra në kryeqytet. Rrënojat e një vile romake që arkeologët i referohen si ‘vila rustica’ dhe kishës paleokristiane të zbuluar më 1972, janë një provë e rëndësishme e vendbanimeve të hershme antike duke sjellë dëshmi mbi mënyrën e jetesës, kulturën dhe nivelin e zhvillimit të banorëve.

MATERNITETI
E pyetur për çështjen e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Dollani tha se bëhet fjalë për një projekt të miratuar para një viti. “Te materniteti po bëhet një rikonstruksion për shkak të pasojave të tërmetit. Materniteti është monument kulture i kategorisë së Dytë, pjesa e korpusit qendror dhe ballinës me basoreliev. Ndërsa, pjesa 1 katëshe, është ndryshuar disa herë në kohë të ndryshme, Korpusi që po restaurohet, deri te portiku mbetet i paprekur, bashkë me urën lidhëse që ka qenë. Ndërkaq, shtesa kishte probleme. Kur ra tërmeti, ndërtesa u inspektua dhe u pa që ka shumë probleme. Instituti pa që është jashtë funksionit dhe ishte çarë në disa zona. Projekti i ndërhyrjes u bë nga Instituti i Ndërtimit me të gjitha kërkesat që ka spitali, sepse ata kanë kërkesat e veta për llojin e institucionit që është. Projekti i Institutit të Ndërtimit më pas erdhi në Institutin e Trashëgimisë Kulturore, u shqyrtua dhe u miratua pasi kaloi specialistët”.
Dollani theksoi se i gjithë korpusi me basorelievin ruhet, ndërsa pjesa tjetër që ishte shtesë po rindërtohet në bazë të kërkesave të spitali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb